Templates by BIGtheme NET

Protestat në Katalonjë shtyjnë El Clasico-n, Barcelona propozon 18 dhjetorin

Përkundër që ka theksuar se do të preferonte që ndeshja të ishte zhvilluar në orarin e caktuar qysh më parë, Barcelona e ka pranuar kërkesën për ta shtyrë ndeshjen kundër Real Madridit dhe ka propozuar që tani ajo të zhvillohet më 18 dhjetor.

Barcelona e ka lëshuar një komunikatë për media për ta bërë publik qëndrimin e vet ndaj shtyrjes së ndeshjes kundër Real Madridit, që ishte planifikuar të zhvillohet më 26 tetor në “Camp Nou”, transmeton Gazeta Express.

Një protestë e madhe është planifikuar të mbahet në qytetin e Barcelonës më 26 tetor – pikërisht ditën kur klubi Barcelona e kishte ndeshjen kundër rivalit më të madh, Real Madridit, në “Camp Nou”.

Tensionet në regjionin katalonas janë ndezur nga vendimi kontrovers i gjykatës spanjolle për t’i burgosur disa liderë politikë të lëvizjes për pavarësimin e Katalonjës nga Spanja dhe për rolin e tyre në referendumin e mbajtur për këtë çështje në vitin 2017.

Gjatë ditëve të fundit, rrugët e Barcelonës dhe zonat përreth janë goditur nga protestat e vazhdueshme dhe përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Spanjë.

E gjitha kjo situatë ka bërë që Komiteti i Garave i Federatës Mbretërore të Futbollit të Spanjës ta kërkojë shtyrjen e ndeshjes, kërkesë që tani Barcelona e ka pranuar zyrtarisht.

“Të enjten, klubi e informoi Komitetin e Garave të Federatës së Futbollit të Spanjës për vendimin e saj kundër zhvillimit të ndeshjes në stadiumin “Santiago Bernabeu”, siç ishte propozuar nga Liga e Futbollit Spanjoll”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Barcelona.

“Dëshira e klubit për ta luajtur El Clasicon në Camp Nou më 26 tetor, data dhe koha që ishte marrë vesh paraprakisht, u theksua edhe një herë në këtë takim. Klubi ka besim të madh te sjellja paqësore e anëtarëve dhe tifozëve, të cilët e shprehin veten në mënyrë shembullore në Camp Nou”.

“Megjithatë, pasi që e pranuan vendimin e Komitetit të Garave për ta shtyrë ndeshjen për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe për shkak se tani klubet duhet të pajtohen për një datë të re deri të hënën, klubi e propozon 18 dhjetorin”.

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*