Vendosni fjalën kyçe....

Alvin ka humbur gjurmët? Familja: Lajmi nuk është i vërtetë, djali është në kamp


Gjatë ditës së djeshme qarkulluan disa lajme se Alvin Berisha, 11-vjeçari që ka kaluar 5 vite në Siri është zhdukur nga kampi dhe ka humbur gjurmët.

Por Hashtag.al mëson se nuk është ky rasti. Një person pranë familjes Berisha solli në redaksi me autorizimin e familjes këtë mesazh: “Duam të qartësojmë: si familje nuk jemi në dijeni të asnjë lajmi të besueshëm në bazë të së cilit Alvini nuk gjendet më në kamp. Lajmi i fundit i sigurt që kemi, tregon që Alvini aktualisht gjendet në kampin Al Hawl. Kemi besim të plotë në punën që po bëhet nga ana e Shtetit shqiptar dhe që ilustroi edhe Kryeministri Zoti Rama gjatë konferencës për shtyp. (Familja e Alvin Berishës)”.

 Më herët, portali “Shqiptari i Italisë”  bëri publike një letër të babait të Alvinit, Afrim Berisha, i cili kërkon ndihmë për të mundësuar kthimin në shtëpi të djalit të tij që prej 5 vjetësh qëndron mes luftës në Siri.

Në këtë letër babai i Alvinit thotë se i biri është i plagosur dhe ka nevojë për mjekim urgjent: “Alvini është vetëm 11 vjeç, Alvini është i plagosur e ka nevojë për mjekim urgjent, Alvini është i vetmuar, Alvini është i trembur, Alvini duhet të largohet sa më shpejt nga Siria.”

Rasti i Alvinit tërhoqi shumë vëmendje pasi u transmetua në emisionin investigativ italian ‘Le Iene’. Prej 5 vitesh, Afrim Berisha nuk reshti duke kërkuar djalin e tij, prej të cilit ka marrë vetëm një letër në të cilën i shkruante se e kishte marrë malli dhe donte të kthehej  pranë babait.

Gruaja e tij Valbona, e kishte ndarë djalin nga babai dhe dy motrat e tij më të rritura për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri. Alvin u gjet i gjallë  në një kamp në Siri dhe babai i tij arriti ta takonte falë përpjekjeve të stafit të emisionit. Por Afrim Berisha nuk mundi ta merrte dot djalin me vete, për shkak se duhej ndërhyrja nga institucionet shqiptare./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *