Vendosni fjalën kyçe....

Doris Pack krah Albana Vokshit: Qeveria të zbatojë 9 kushtet e Bundestagut

Presidentja e Grave të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack, inkurajon shqiptarët të shkojnë përpara në rrugën e integrimit europian. Ajo shprehet se “Shqipëria duhet të nisë me zbatimin e kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman për t’u bërë gati për hapjen e negociatave”.

 Këto komente zonja Pack i bëri nga Vjena, aty ku u mbajt takimi “Vizioni i grave për një Evropë më të mirë”, ku PD u përfaqësua nga Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi.

Pack mbështeti nisjen e bisedimeve me kushte për Shqipërinë , duke e konsideruar këtë si një vendim jo për qeverinë, por për qytetarët e saj. Ajo gjithashtu tha se është shumë e shqetësuar me krizën politike në Shqipëri.

“Opozita i dorëzoi mandatet, pasi nuk kishte më asnjë garanci kushtetuese. Në parlament nuk respektohej e drejta e fjalës dhe mekanizmi parlamentar për kontrollin e qeverisë, ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk ekziston. Korrupsioni i lartë dhe krimi i organizuar janë probleme shqetësiese. Një ish ministër i brendshëm u dënua nga një gjykatë. Ndërkohë që në qendër të Tiranës protestohet prej shumë muajsh në mbrojtje të Teatrit Kombëtar të cilin qeveria po kërkon ta shembë për të ngritur kulla të larta vetem pë qëllime fitimi. Shqipëria duhet të nisë përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bundestagu, përsa i përket luftës kundër korrupsionit, vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”, tha Pack.

Duke shprehur shqetësimin për numrin e lartë të azilantëve, kryesisht të rinj që largohen në mungesë së alternativave të shkollimit dhe punësimit, Doris Pack i kërkoi Bashkimit Europian të rrisë presionin ndaj Shqipërisë. “Në këtë mënyrë qeveria do të detyrohet të plotësojë kushtet dhe të hapë perspektiva për shqiptarët në Shqipëri, duke bërë që edhe numri i azilantëve të zvogëlohet”– tha zonja Pack, e cila më tej i bëri thirrje Bashkimit Europian që të mbajë derën e hapur për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Albana Vokshi nga ana tjetër, informoi Forumin e Grave të Partisë Popullore Europiane se PD i konsideron 9 kushtet e Bundestagut si një udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës politike, për rivendosjen e bazave të shtetit të së drejtës dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.