Templates by BIGtheme NET

Pyka(t)

Alias-Autor: Jozef Shvejk

Në Facebook ka vite që qarkullon një mërzi karshi politikës shqiptare. Asgjë e jashtëzakonshme, Europa dhe mbi të gjithë perëndimi i cili ka kaluar shumë etapa në politikë dhe shtetformim vuan nga e njëjta sindromë.

Mirëpo nëse në Anglinë e BREXIT shumë intelektualë kanë shprehur neverinë ndaj logjikës referendare (vetë Partia Konservatore ka qenë kundër Referendumeve në gjenezën e saj), në Zvicrën më Europiano qendrore ato duket se janë një mënyrë “jetese” politike.

Shqipëria, e cila si pasojë e makinacioneve politike nuk ka mundur të çlirojë “furinë” e demokracisë, i ka penguar me lloj-lloj metodash dhe mënyrash.

Elementi i mërisë kolektive në Facebook ka marrë tanimë trajtën e një farë kanalizimi. Dy grupe kryesore kanë dalë në tregun e politikës shqiptare, ata po shpalosin disa ide në lidhje me demokracinë dhe mospërfaqësimin. Logjika e tyre pretendon të jetë pro-europiane por diskursi është në terma populistë.

Sulmi ndaj elitës politike dhe veçanërisht të partive politike të këtyre 30+ viteve, është mëse i qartë në retorikën e tyre. Natyrisht nuk janë të vetmit në këtë skakierë politike pasi përpara tyre shumë figura dikur të rëndësishme të Partive Politike kanë marrë përmasat e një aktori të tillë.

Ajo çfarë alternativat ofrojnë nuk është aspak e qartë, madje nuk ka një projekt apo program të qartë madje as një filozofi udhëheqëse. Nëse Trump kishte pas një sens filozofik të Bannon, BREXIT-ers të Cummings ajo çfarë drejton këto lëvizje të reja që duan të hynë si pyka në politikën shqiptare mbetet enigmë.

Të mbështetesh në betejën e figurave të reja dhe figurat e vjetra është thjesht një ripërtëritje e Rilindjes dhe logjikës revolucionare që nuk mund të na shpjegojë apo të na shpëtojë nga ripërsëritja e gabimit Veliaj.

Lufta për një sistem zgjedhor më përfaqësues është një betejë e cila nuk është pishtari i tyre unikal. Mjaft parti sot e kësaj dite luftojnë për një sistem elektoral të ndryshuar përfshirë edhe partitë opozitare.

Prandaj prodhimi i disa narrativave të veçuara të këtyre nismave mbi sistemin zgjedhor nuk është një produkt i veçantë që bie në interesin e qytetarëve, fare mirë forcat e reja politike mund të bashkohen me nismat e tjera politike apo partitë e tjera për të prodhuar diçka të prekshme dhe realisht në shërbim të komunitetit.

– E njëjta gjellë por kamarierë të ndryshëm

Kur diskuton me anëtarë dhe simpatizantë të tyre dhe i pyet për çështjet e mësipërme përgjigja e tyre lidhet me mungesën e besimit tek partitë tradicionale. Lufta e forcave të reja politike është diçka e përsëritur. Duket sikur në çastin që sistemi politik turbullohet për mirë menjëherë në skenë futet një dorë që turbullon elektoratin politik më shumë se sa sistemin.

Shembullin më të mirë e kemi pasur në vitin 2015 kur sistemi politik i turbulluar prodhoi dy kandidatura të ndryshme për Tiranën, Erion Veliaj i riu premtues që kishte studiuar jashtë që kishte ardhur nga radhët e shoqërisë civile (kujtoni MJAFT) dhe kish luftuar për sistemin e ri politik të të rinjve kundër të vjetërve dhe nga ana tjetër një doktor i nderuar si Halim Kosova.

Një tjetër forcë elektorale që u vu në lëvizje (në fakt qenë mbi tre të tjera) ishte dhe lëvizja NE e drejtuar nga Gjergj Bojaxhiu. Ky i fundit u fut si një pykë dhe rroku rreth 16 mijë vota (5.37%) për t’u zhdukur nga skena politike dhe për t’u rikthyer në vitin 2017 pas disa rrokadave dhe akuzave publike drejtuar atij.

Në vitin 2017 Bojaxhiu lobonte po ashtu për ndryshim sistemi por ndryshe nga opozita kishte hapur stendat e tij për të mbledhur firmat për një lëvizje që sot nuk dihet ku është dhe çfarë po bën.

Ben Blushi gjithashtu themeloi LIBRA-n për ata që lexojnë, nga brenda Kuvendit. Sulmet e tij kritike karshi Ramës dhe oligakrëve të tij, ironia therrëse ndaj injorancës së atyre që rrethojnë Ramën, përbuzja tallëse ndaj deputetëve të Rilindjes dhe krijesave invitrio prodhuan një ekistim në publik. Në vitin 2017 kjo forcë politike morri 19,806 vota (1.25%) sipas rezultatit final por u vërejt që partitë e tjera politike kishin vjedhur votat e tyre.

Megjithë rezultatin inkurajues për një parti politike, Ben Blushi zgjodhi të firmoste një kontratë të majme për një televizion oligark dhe t’i shërbente me lajle lule Ramës të cilin e kish quajtur “bodyguard” por që sot ia shpërndan lajmet gëbelsiane. Madje ai pati një konflikt të ashpër me Mimoza Hafizin në lidhje me LIBRA-n pasi kjo e fundit e akuzoi për tradhëti.

A është kjo gjella që po i ri-ofrohet shqiptarëve, pra elektoratit, nën premisat morale të rinjve që studiojnë jashtë dhe janë kundër elitës politike? Gjasat janë të tilla dhe nëse forcat e reja politike pretendojnë se janë kosi duhet të kenë parasysh historinë me qullin.

Aq më tepër kur kërkojnë transparencë maksimale duhet ta ofrojnë një të tillë. Beppe Grillo i M5-s ka ndërtuar një sistem paralel online votimesh për anëtarët e partisë dhe për të bindur ato se është ndryshe nga klasa politike. Albin Kurti ka mbi shpinë vitet e burgut, luftës por dhe një aktivizëm të suksesshëm që ka rrokur mbi 20% të elektoratit.

Natyrisht që asnjë nga më sipër nuk është në gjellën e vjetër që ofrojnë kamarierët e rinj. Sado të lodhemi, ato bien në përsëritjen e palodhshme të “alternativës së vjetër me mjete të reja!”

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*