Vendosni fjalën kyçe....

Me Salvinin jashtë qeverisë, Italia pranon emigrantët e shpëtuar në detin Mesdhe


Anija “Alan Kurdi” e organizatës joqeveritare gjermane “Sea Eye” e cila ndodhej në pritje prej më shumë se një jave në Mesdhe pas dhënies së lejes nga Italia nxorri në portin Taranto 88 emigrantët e parregullt të shpëtuar, transmeton Anadolu Agency.

Sipas lajmeve në shtypin italian, mësohet se pas lejes së dhënë nga autoritetet italiane për ankorimin në portin Taranto, anija “Alan Kurdi” ka nxjerrë në tokë 88 emigrantët që kishte shpëtuar. Emigrantët e parregullt pas kontrolit shëndetësor u dërguan në qendrat e pranimit dhe regjistrimit të emigrantëve të quajtura si “hotspot”.

Në një deklaratë nga Ministria e Brendshme italiane thuhet se nga 88 emigrantët e parregullt në anijen “Alan Kurdi”, 60 prej tyre do t’i pranojë Gjermania dhe Franca, 5 Portugalia, 2 Irlanda dhe 21 prej tyre do të qëndrojnë në Itali.

Ndërsa një nga mjekët me detyrë në anije në një intervistë për kanalin Rainews24 njoftoi se emigrantët janë nga Nigeria, Gambia, Guineja, Kameruni dhe Senegali, ndërkohë që shumë prej tyre kanë dhimbje dhe janë të lodhur për shkak të detit.

Ndërkohë thuhet se edhe rimorkaitori Asso Trenta me 151 emigrantë të parregullt që shpëtoi dje në ujërat e Libisë ka mbërritur sot në portin Pozzallo në ishullin e Siçilisë.

Rajoni i Mesdheut mes Italisë, Maltës dhe Libisë është një nga rrugët më të përdorura të migracionit të parregullt për kalimin nga Afrika në Evropë vitet e fundit.

Në këtë rrugë, OJQ-të nga vendet e ndryshme të përfshira në aktivitete shpëtimi nuk i dërgojnë migrantët e shpëtuar në Tripoli për shkak të “shkeljeve të të drejtave të njeriut” dhe “sigurisë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *