Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania kundër deklaratave të Macron për NATO-n


Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas, e bëri një paralajmërim kundër dobësimit të NATO-s. Kjo është kundërpërgjigjja më e fuqishme që Berlini ia ka dhënë deri tash komenteve kritike të presidentit francez për aleancën ushtarake, për të cilën kishte thënë se i ka vdekur truri.

Presidenti Macron tha këtë javë në një intervistë për gazetën “The Economist” se NATO-ja është duke e përjetuar një vdekje të trurit, duke e cituar mungesën e koordinimit dhe qëndrimet e paparashikueshme të Shteteve të Bashkuara nën pushtetin e Donald Trump-it.

“Do të ishte gabim nëse e dobësojmë NATO-n. Pa Shtetet e Bashkuara, as Gjermania, as Evropa nuk do të mund ta mbrojnë veten në mënyrë efektive”, shkroi kryediplomati gjerman në një shkrim të publikuar në revistën gjermane “Der Spiegel”.

Megjithatë, ai e përkrahu thirrjen e presidentit francez për t’i forcuar kapacitetet mbrojtëse të Evropës. “Për këtë arsye po punojmë shumë së bashku me Francën për të ndërtuar një Evropë që punon shumë më ngushtë së bashku për politikat e sigurisë”, shkroi ministri Maas.

Vetë Gjermania është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë për shpenzime shumë të vogla në fushën e mbrojtjes.

Sidoqoftë, kancelarja Angela Merkel ka thënë se NATO-ja është shtylla qendrore e mbrojtjes së Gjermanisë, duke shtuar se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi në këtë aleancë të sigurisë, shkruan “Reuters”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *