Templates by BIGtheme NET

Ata që duhen arrestuar

Blog-Autor: Klodian Tomorri

Kryeministri ka te drejtë që kërkon nga mediat të mos përhapin panik.

Ka të drejte edhe kur kërcënon me arrestime. Por para se të arrestojë gazetarët duhet t’u hedhë prangat vrasësve. Dhe e ka shumë të lehtë.

Së pari të fillojë me ata që morën paratë publike për godinën e kovaleshencës. Arkitektin që projektoi, ndërtuesin dhe inxhinierin që e ndërtuan.

Më tej ta shtrijë zinxhirin e përgjegjësisë tek supervizori që e mbikëqyri dhe pastaj zyrtari i shtetit që e mori në dorëzim dhe e certifikoi. Abuzimet apo neglizhenca e këtyre i morën jetën kryekomisarit.

Pas kovaleshencës, të kërkojë përgjegjësinë tek zyrtarët që dhanë leje për ndërtimin e hoteleve mbi rërën e bregdetit. Ndërtuesit që thyen ligjin duke shkelur lejet. Zyrtarët e shtetit që mbyllën sytë dhe ata që amnistuan shkeljen e ligjit. Këta janë vrasësit e dhjetëra njerëzve të pafajshëm.

Në Thumanë, të arrestojë ata që duhet të kontrollonin ndërtesat pas tërmetit të shtatorit. Të tjerët që duhet të ndalonin banorët të riktheheshin përsëri aty. Këta janë vrasësit e dhjetëra të pafajshmëve të tjerë.

Zoti kryeministër, pasi të kesh mbaruar me vrasësit, kë gjithë të drejtën të arrestosh cilindo që përhap panik. Sepse të mos nisësh asnjë hetim apo verifikim se kush janë përgjegjësit që vranë 50 njerëz të pafajshëm, ky është krim edhe më i madh se përhapja e panikut.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*