Vendosni fjalën kyçe....

Prag abuzimi me rindërtimet?!


Blog-Autor: Armand Maho

Ndoshta, nuk është momenti por mendoj se tragjedia e 26 nëntorit nxorri në pah një tjetër skandal, për të cilin askush nuk po flet!

As kolegët që rrinë natë e ditë në rrënoja , apo duke raportuar çdo gjë që ndodh atje dhe që duhen falenderuar për atë ç’ka po bëjnë.

Në rast se do kalosh këto ditë në rrugën e plazhit në Durrës,përveç imazhit tronditës të asaj ç’ka la pas tërmeti, një sy sadopak i vëmendshëm do vinte re një fenomen që tregon një masë të madhe abuzimi me ndërtimet.

Disa pallate janë shndërruar ose në gërmadha ose në të pabanueshme. Janë pallate të viteve të fundit, madje në disa prej tyre shitjet nuk jane realizuar as në masën 20%. Gjithesesi këto pallate do shemben se përbëjnë rrezik jo vetëm për banorët, por edhe për ndërtesat apo njerëzit përreth.

Por ama ,vetem një apo dy metra që andej ngrihej një tjetër pallat apo dy me të njëjtat përmasa e siperfaqe që skishte pësuar qoftë dhe një gërvishtje të vetme. E pra ,të dyja objektet kanë marrë të njëjtën goditje, shtrihen në të njëjtin truall, por njëri shkatërrohet dhe tjetri jo.

Unë nuk jam inxhinier, por s’ma do mendja se është aq e vështirë për t’u kuptuar që njëri ndërtues ka punuar me ndershmëri, ndërsa tjetri ka abuzuar. Një banor i intervistuar tha se kur kishin kontaktuar me ndërtuesin një me emër Makism, ai i kish thënë ‘unë me këtë pallat i kam larë duart, sepse ia kam dorëzuar bashkisë e cila e ka kolauduar’. Dmth kaq thjeshtë. Ka ndërtuar një barangë dhe ka shitur për pallat.

Sot jemi përballë kësaj situate, dhe investitori por edhe Bashkia i ka larë duart. Dhe s’janë pak por 178 pallate shumica në Durrës që e kanë këtë problem. Pra, kaq thjeshtë.Por, gjithsesi lind pyetja?! Sot që të gjithë janë angazhuar për të zgjidhur problemin e strehimit të atyre banorëve këta lloj ndërtuesish kanë ndonjë pergjegjësi? Sepse duart s’mund të lahen kaq kollaj!

A kanë ndonjë përgjegjësi këta ndërtues për këtë që ka ndodhur? Me së paku duhet të marrin përgjegjësinë e tyre për të dëmshpërblyer ata banorë.

Sepse pas kësaj katrahure qëndron dhe vepra penale e “ Mashtrimit me pasoja të rënda” për ndërtuesin “ dhe e shpërdorimit të detyrës me pasoja të rënda” për kolaudatorin e bashkisë. Kur kemi të bëjmë me fenomene të këtyre përmasave përgjegjësia shkon deri te kryetari i Bashkisë apo dhe institucione të tjera që merren me këtë punë.

Mendoj, pa i hyrë fare aspektit politik, përpara se Qeveria të shtrijë dorën për ndihma sa andej këtej më parë duhet t’i marrë për veshi këta ndërtues dhe kolaudatorë dhe t’i vërë para përgjegjësisë. Më së paku kompania që ka ndërtuar duhet ta rindërtojë siç ka qenë ose të paguajë dëmin.

E dyta, dhe kjo jo pak e rëndësishme, ka të bëjë me faktin se në këto pallate janë shumë apartamente apo dyqane të pashitura.Me këto si do të veprohet?! Kujt do i njihet si dëm?! Pra ndërtesat do të ngrihen aq sa të plotësojnë numrin e atyre që kanë blerë, do i faturohen agjensive të sigurimit dhe ndërtuesi do marrë paratë, apo do i njihen si shpenzime buxhetit të shtetit.

Se mund të ndodhë që në këtë pikë mund të bëhen abuzime të mëdha sepse mundësitë janë të pafundme. Mendoj se rindërtimi i atyre pallateve nga vetë kompanitë pergjegjëse për to ( qeveria i ka të gjitha mekanizmat që t’i detyrojë) do ishte një lehtësim jo i vogël në kapërcimin e kësaj situate jo vetëm për buxhetin e shtetit, taksat e të gjithëve ne por dhe për ata që u goditën më së shumti nga kjo që ndodhi!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *