Vendosni fjalën kyçe....

Krishtlindjet i festojnë në çadra, banorët e Bubqit: S’ka ardh kush me pyet a je gjallë apo vdek


Mijëra qytetarë kanë mbetur të pastrehë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit dhe këtë Krishtlindje, banorët e zonave të prekura po e kalojnë në çadra.

Situata është e tillë dhe në fshatin Bubq në Fushë-Krujë. Partia Demokratike ka publikuar sot disa histori të banorëve të prekur në Bubq dhe disa fshatra të tjerë të Fushë-Krujës.

Anton Shota, një nga banorët e fshatit Bilaj, njësia Administrative Bubq, që është prekur nga tërmeti pohoi se shtëpia e tij është shkatërruar totalisht dhe jeton vetë i treti në çadër.

Ndërkohë, Qamil Korriku, nga fshati Mazhe e Madhe tha se askush nuk ka shkuar që t’i pyesë nëse kanë nevojë për ndihmë. “S’ka ardh kush me pyet a je gjallë apo vdek”, pohoi ai.

Situata paraqitet e vështirë edhe për një tjetër familje në Bubq, ndërsa kryemiljari hodhi akuza se qeveria po ndihmon vetëm mbështetësit e PS-së.
“Askush nuk na ka ndihmuar. Ka ardhur Olta xhaçka në fshat, por tek unë jo. Ka ardhur tek partia e vet. Te ata që s’janë me të, nuk vinë. Ka shkuar atje ku ka votat e PS.”- tha ai.

Në fshatrat e kësaj njësie administrative kanë shkuar vullnetarë për të ndihmuar me ushqime apo çadra, por sipas banorëve qeveria nuk ka treguar interes tek ata.

Kreu i PD-së Lulzim Basha tha dje nga Thumana që qeveria duhet të strehojë banorët e mbetur pa strehë në banesa me qera të paguara. Ai e konsideron tragjedinë e 26 nëntorit si një krim të qeverisë për shkak të neglizhencës.

”Nuk ka asnjë arsye që familjarët të mos sistemohet në banesa me qera të paguara nga shteti, përveç faktit që nuk duan të prekin lekët e oligarkëve. Për ne si opozitë, ky është krim. Këtu në Thumanë ka ndodhur një krim. 24 vetë janë varrosur për së gjalli për shkak të neglizhencës së shtetit. E njëjta neglizhencë kriminale që varrosi ata njerëz, e njëjta neglizhencë kriminale mund të kushtojë prapë jetë, sepse me motin e ftohtë, edhe fëmijët, edhe të sëmurët, edhe të moshuarit mund të sëmuren. Çfarë do të presim ne, që të ndodhë katastrofa?!

S’kemi ardhur as për politikë, as për vota. Nuk ka detyrë më të shenjtë për ne, si njerëz në rradhë të parë, si familjarë, si prindër, e pastaj edhe si opozitë që të jemi afër jush. Këtë kemi bërë, këtë do të bëjmë deri sa së bashku ta kalojmë këtë të keqe.” – tha Basha.


Rregjistrohu
Më njofto
guest
0 Komente
Reagimet
Shikoni të gjitha komentet