Pas Shkodrës, Vorës dhe Vaut të Dejës, PD ka akuzuar një tjetër kryebashkiak socialist se ka të shkuar kriminale.
Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të verifikojë të kaluarën e kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj, me arsyetimin se ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.
“Partia Demokratike e Shqipërisë, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, të largojë personat me të kaluar kriminale të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.“- thuhet në shkresën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
Sipas informacioneve të PD-së, Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se i është përgjigjur me “JO”, pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj.