Templates by BIGtheme NET

Dënglat e një vendi të nëpërkëmbur

Alias Autor: Johannes Estrada

Kur fitoi presidencën në 2008-ën, Barack Obama premtoi jo vetëm të zëvendësonte George Bush por të sillte një epokë të re në politikën amerikane – më bipartizane, përtej ndasive të momentit, e më pak konfliktuale.

Donald Trump në 2016-ën nuk premtoi thjesht të mundte Obamën dhe Hillary Clintonin.

Premtoi një pastrim të politikave korruptive të Washingtonit duke “e zbrazur kënetën” (drain the swamp) nga të gjithë keqbërësit e të shkuarës.

Në të vërtetë, për shkak të pushtetit tejet të limituar kushtetues, çelësi i suksesit politik dhe ekonomik amerikan, këto mbetën më shumë premtime se sa vepra. Obama miratoi një reformë shëndetësore në vitin 2009, teksa kishte kontroll mbi dy dhomat e Kongresit dhe shumicën e legjislaturave lokale, dhe harxhoi 6 vitet e fundit të presidencës vetëm duke e mbrojtur atë reformë.

Trump, megjithëse kishte shumicën në Kongres, nuk arriti ta zhbëjë reformën shëndetësore. I vetmi ligj i miratuar prej tij është një paketë ndryshimesh fiskale në 2017-ën. Gjasat janë që nuk do miratojë më as edhe një ligj të ri, sado të qëndrojë në atë zyrë.

Kjo ama nuk i ndaloi të premtonin, kur ishin ende në opozitë, ndryshime radikale të sistemit politik. Në një nga shtetet më të suksesshme të botës, me të ardhura për frymë sa 10-fishi i shqiptarëve, njerëzit kërkojnë gjithmonë më shumë se sa thjesht ndryshim emrash dhe politikanët tentojnë t’ua premtojnë.

Në vitin 2020, ka nga ata që ende mendojnë se elektoratit të vendit më të varfër të Evropës, ekonomia e të cilit është në një stanjacion 10-vjeçar dhe i cili po shpopullohet me ritme të frikshme, i mjafton sllogani “Sistemi është i mirë, por fajin e ka Edi Rama”…

VINI RE: Autori shkruan në rrjete sociale, me pseudonim. Hashtag.al publikon sporadikisht shkrime anonimati, kur përmbajtja dhe argumentimi prevalon mbi identitetin dhe kur shkrimi nuk përmban qëndrime që cënojnë integritetin e një personi ose të një institucioni.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*