Templates by BIGtheme NET

Trekëndëshi i përdhosjes së femrës

Blog Autor: Xhenis M.

  1. Familja
  2. Shoqëria
  3. Shteti

Këto janë 3 shtyllat kryesore që do na ndihmojnë të thyejmë ciklin e dhunës. Asaj dhune që për fat të keq nis që në familjen prindërore.

1.Familja: mos u sill me vajzën tënde ashtu si s’do doje e s’do lejoje të sillej dikush tjetër me të. Kupto që në jetën e vajzës tënde je TI figura e parë burrërore që ajo do njohë e sipas së cilës do krijojë modelin se si duhet të sillet një burrë me nënën, motrën, gruan dhe vajzën e tij. Dhe do kërkojë atë model gjithë jetën.

Modelin që do i tregosh TI, atë që do i mësosh TI! Nëse e rrit vajzën duke i ofruar strehën e ngrohtë familjare, atë që të kupton gabimet, të fal, të jep siguri e të do, ATË do kërkojë të gjejë në jetën e saj! Kupto! Kupto që s’ka zhburrërim më të madh e shkelje më të rëndë të nderit të një burri sesa ushtrimi i dhunës ndaj vajzës së tij, qoftë bashkëshort i saj apo dikush tjetër dhunuesi.

Aty të preket nderi ty, kur dikush s’të respekton gocën, ndaj, MOS IA MBYLL DERËN VAJZËS TËNDE. Mësoji që do mbetet fëmija yt pavarësisht çdo gjëje dhe nëse edhe e gjithë bota do e braktisë, ti s’do e bësh kurrë!

2 – Shoqëria: mos i braktisni më gratë! Dëgjo, ndihmo, jep një dorë! Mbi të gjitha, gra e vajza, solidarizohuni me njëra-tjetrën. Ka ardhur momenti të kuptojmë që luftën s’e kemi as me njëra-tjetrën dhe as me burrat. Luftën e kemi fillimisht me veten, për t’u larguar nga ajo që kjo shoqëri na e ka bërë aq të natyrshme, tendencën për të ngritur veten duke ulur një grua tjetër.

Mjaft më me luftë brenda llojit se situatat emergjente kërkojnë solidaritet që të kalohen. S’ke për t’u ndjerë më mirë me veten asnjëherë duke bërë dikë tjetër të ndihet keq, aq më pak një vajzë apo grua tjetër që përballet me të njëjtat problematika si ti.

3 – Shteti: imazhi tipik i një qenieje impotente! Duhen trajnuar punonjësit e Policisë së Shtetit njëherë, se ata janë të parët që duhet të mësojnë të mos ua përkeqësojnë grave akoma më tepër dramën psikologjike të përballjes me zyra, me mure të ftohta e me njerëz akoma edhe më të ftohtë. Arsim! Mbrojtje! Dhe mbi të gjitha, shteti duhet të ofrojë alternativë!

Të mos kthehen më në të njëjtin apartament, të mos lihet më asnjë vajzë e grua mes katër rrugëve me një Urdhër Mbrojtjeje në dorë, por t’u krijohet mundësia të jetojnë të pavarura ekonomikisht. E kjo gjë sot mund të realizohet vetëm nga një shtet i përgjegjshëm që strehon, ndihmon ekonomikisht dhe ndihmon një grua të gjejë një punë me anë të së cilës të mund të jetojë së bashku me femijët pa qenë e detyruar të rikthehet e të ripërjetojë të njëjtën dhunë.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*