Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar një ofertë të re nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo është bërë e ditur nga zëdhënsi i LDK-së, Besian Mustafa, shkruan Lajmi.net. sipas tij, oferta e Vetëvendosjes do të shqyrtohet gjatë ditëve në vijim.
‘Dje nga LVV-ja kemi pranuar një propozim shumë të ngjashëm me atë të paraqitur nga ta në takimin e fundit të javës së kaluar, me disa ndryshime të vogla, të cilat do të shqyrtohen në ditët në vijim’, ka thënë Mustafa.
Kosova nuk ka ende qeveri që prej 6 tetorit, datë kur u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme. Dy forcat fituese, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja nuk e kanë arritur ende marrëveshjen e bashkëqeverisjes.
Në lojë është futur edhe presidenti Thaçi i cili po ushtron presion ndaj kreut të Vetëvendosjes Kurti, që të përcaktojë emrin e personit që do marrë përsipër krijimin e qeverisë, ndërsa shkëmbimet mes kreut të shtetit e Kurtit kanë pasur jo pak tension.