Vendosni fjalën kyçe....

Albin Kurti merr sot zyrtarisht detyrën si kryeministër i Kosovës


Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti do të marrë sot zyrtarisht detyrën si kryeministër i Kosovës.

Duke qenë se ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ndodhet në Shtetet e Bashkuara, në vend të tij do të jetë ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ai që do t’ia kalojë detyrën e re.

Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës pritet të mbahet sot rreth orës 11:00, e më pas Kurti pritet të thërrasë në një mbledhje ceremoniale dhe qeverinë e re.

Gjatë ditës së djeshme Kuvendi i Kosovës zgjodhi me shumicë votash qeverinë e re të Albin Kurtit, ku nënkryetare e Kuvendit u zgjodh Vjosa Osmani.

Qeveria e re u votua me 66 vota pro, asnjë kundër dhe 10 abstenime. Në fjalimin e tij të parë, Kurti tha se me votimin e djeshëm u jetësua vullneti dhe shpresa e krijuar nga populli kosovar më 6 tetor.

“Sot po e hapim një kapitull të ri në Kosovë. Ajo që ngjau e pamundur ishte kështu vetëm në dukje, sepse një popull që refuzon të nënshtrohet e bën gjithçka të mundur. Këtë e kemi bërë më 6 tetor, këtë po e bëjmë sot që me krijimin e kësaj Qeverie po jetësojmë entuziazmin dhe shpresën e krijuar më 6 tetor”, u shpreh Kurti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *