Templates by BIGtheme NET

Policia po konkuron me filmat e Ermal Mamaqit

Blog-Autor: Artan Hoxha

Meqë Ermal Mamaqi bën filma (i love Tropoja) komedi me dashuri, Bes Kallaku bën filma (Falco) komedi me skiftera, edhe kryeministri vendosi të realizojë një film (OFL Operacioni Forca e Ligjit) të fundit komedi, me bionde me syze, policë me maska, KÇK-era…

Skenari, regjia, ideja, autorësia, producent dhe realizimi nën kujdesin direkt të kryeministrit të Shqipërisë, sigurisht sponsorizimi me paratë e taksapaguesve shqiptarë…

Seria e parë: Imazhi fantastik. Kamera shkëlqyeshëm.

Forca speciale OFL të trajnuara për muaj të tërë për të luftuar bosët e krimit, të veshur me gusto krejt ndryshe nga Policia e Shtetit (forca policore që siguron rendin dhe jetët tona çdo ditë) të armatosur nga koka deri në këmbë me armatim modern, me syze dhe maska bashkë.

Trupa që hapen në pozicion taktik luftimi, me armë të fjalës së fundit në vijë shënimi për të asgjësuar çdokënd brenda gardhit të një resorti luksoz që e ka marrë vesh edhe çakalli më i fundit në Myzeqe apo rrëqebulli i ngjitur në bredhin më të lartë në Alpe, se aty prej ditësh jo vetëm nuk ndodhet askush, por nuk pipëtin as miza.

Një objekt që e ka bastisur pak ditë më parë RENEA, FNSH, Policia e Durrësit, madje dhe ekspertët e policisë shkencore.

Duket qartë që regjizori është kujdesur më shumë për imazhin sesa për qëllimin e vërtetë të aksionit të parë të OFL-së.

Operacion që duhej të ishte patjetër një goditje e fortë dhe me mesazh të qartë në luftën kundër krimit, që të ngjallte optimizëm dhe besim te publiku.

Minimalisht mund të ishte inskenuar një aksion bastisjeje në baza të supozuara ku dyshohej se fshihej Altin Hajri, truri i grupit me të njëjtin emër dhe pronari i resortit luksoz ku u zhduk kufoma e Jan Prengës, i cili është në arrati dhe i pakapur nga drejtësia.

Por në fakt u bë gabimi më i trashë i mundshëm.

U përzgjodh si shesh xhirimi një resort i bastisur deri në vrimën e miut nga policia dhe i braktisur prej ditësh nga të zotët, që në mos janë në burg, ndodhen në arrati.

Një inspektor policie, nga ata që mbulojnë fshatrat në Drejtorinë e Durrësit, me telefonoi duke me thënë:

“Kot e bënë gjithë atë berihaje shefat lart, harxhuan gjithë atë karburant, mjete lëvizëse, dislokim trupash dhe orë pune, për një veprim që mund ta bëja vetëm unë dhe një oficer OPGJ (oficer i policisë gjyqësore)”.

Të presim mos e rregullojnë pak dorën tek seria e dytë.

Dhe në fund, suksese dhe respekt për ata djem që mbajnë veshur uniformat e OFL-së. Çdo polic i Republikës së Shqipërisë do të donte të ishte i veshur me atë uniformë dhe me ato paisje taktike.

Ata thjesht bëjnë detyrën, zbatojnë urdhrin që u vjen nga lart dhe kanë në dorë vetëm performancën në terren.

Spektakli nuk është as ideja dhe as dëshira e tyre. Për atë mban përgjegjësi tjetërkush…

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*