Vendosni fjalën kyçe....

Protesta për Teatrin dhe “lufta civile” brenda saj


Nga Kastriot Çipi

30 vjet pas rënies së komunizmit, ne e kemi ende të paqartë historinë tonë të shekullit XX. Historianët ish-komunistë, më pas socialistë e sot rilindas, vazhdojnë të mbrojnë falsifikimet e fabrikuara nga propaganda e diktaturës. Mjafton të përmendim debatin e ditëve të fundit, për të ashtuquajturën “Masakra e 4 shkurtit 1944”.

Si çdo vit, historianët rilindas dhe “veteranët e luftës” të lindur 20 vjet pas mbarimit të luftës, folën për 84 viktima, që “nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre ballistë” i pushkatuan, pasi i morën zvarrë nga shtëpitë e tyre.
Edhe këtë vit, historianë dhe arkivistë të tjerë treguan dokumente historike, që flasin për 12 viktima të identifikuar, plus 2 të paidentifikuar. Gjysma e tyre u përkasin të dy palëve dhe janë vrarë më 3 shkurt, në dy atentate kundër makinave të Kadri Cakranit e Xhaferr Devës. Gjysma tjetër është vrarë natën e 4 shkurtit, gjatë së cilës patrullat ishin urdhëruar të qëllonin pa paralajmërim këdo, që shkelte shtetrrethimin.

Nga dokumentet rezulton se Xhaferr Deva ka ngulur këmbë që Balli Kombëtar të mos përfshihet në aksionin, që ai e konsideronte hakmarrje personale për vrasjen e shoferit të tij. Po nga këto dokumente, rezulton se nuk ka marrë pjesë në aksion asnjë ushtar gjerman. Komanda gjermane e Tiranës i konsideronte atentatet dhe kundërpërgjigjen, që donte të organizonte Xhaferr Deva si luftë civile mes shqiptarësh.

Falsifikimit të historisë nuk i ka shpëtuar as Teatri Kombëtar. Historianët komunistë të artit, edhe tani që kanë “rilindur” vazhdojnë të shpifin se themelimin e Teatrit Kombëtar e vendosi Kongresi i Përmetit më 24 maj 1944, se madje edhe shfaqja e parë është dhënë pikërisht aty, në Përmet, në të njëjtën datë, megjithëse, edhe pas 76 vjetësh, nuk kanë treguar asnjë copë letër, asnjë fotografi, që i justifikon këto falsifikime.

Por falsifikimi i historisë nuk është atribut vetëm i diktaturës. Edhe sot, grupime dhe individë tentojnë të falsifikojnë ngjarje, pavarësisht se teknologjia e informacionit e ka bërë më të vështirë falsifikimin. Shpresa e tyre është aksioma serbe “Edhe gënjeshtra më e madhe, e përsëritur 99 herë, herën e 100-të bëhet e vërtetë”.

Falsifikimi, që u bë shkas për këtë shkrim, është një kolazh fotos (ketu i bashkangjitur)h, i publikuar nga grupimi i quajtur “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit – Zyrtare”, me rastin e 2-vjetorit të fillimit të protestës. Në dhjetëra fotot që përbëjnë kolazhin, nuk është askush nga ata që e nisën këtë protestë, me takimin e organizuar në sallën Black Box të Akademisë së Arteve, paraditen e 8 shkurtit 2018.

Dhe kjo nuk është harresë. Kjo është “lufta jonë civile”, në të cilën “gjermanët” do të refuzonin të përfshiheshin. Është lufta që ka nisur pas 24 korrikut 2019, nga një grup protestuesish, që besonin se më 13 tetor do të kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe donin të rezervonin një biletë, në tribunën e pushtetit, që do të dilte pas këtyre zgjedhjeve.

Në stil tipik enverist (por jo vetëm) një pjesë e anëtarëve të AMT, rrihnin gjoksin se kishin çliruar Teatrin më 24 korrik dhe hidhnin baltë mbi këdo të kundërshtonte apo edhe thjesht nuk e brohoriste me të madhe këtë dogmë të re. Dhe kështu nisi degradimi i protestës më qytetare, më jopartiake dhe më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë.

Protesta, në fakt, nisi si kundërshtim i projekt-amendamenteve në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën”, të përgatitura në fshehtësi nga Ministria e Kulturës. Denoncimin dhe analizën e tyre e bëri autori i këtij shkrimi në portalin Lapsi.al më 6 shkurt.

Të nesërmen, dy sindikatat e artistëve të teatrit, SASE me kryetar Alert Çeloaliajn dhe SPATK me kryetar Arben Derhemin, thirrën një takim të hapur, më 8 shkurt, në Akademinë e Arteve. I vetmi që mori pjesë në atë takim, nga anëtarët e së ashtuquajturës AMTZ, ishte Neritan Liçaj, që zgjodhi të sulmojë sindikatat (!). Për ironi, as fotoja e tij nuk gjendet në kolazhin në fjalë!

Nëse kolazhi duhet të merret si referencë, këtë protestë e paskan themeluar dhe drejtuar në këta dy vjet Robert Budina, Ervin Goci dhe Gentian Gaba, të cilët shfaqen më shumë se një herë në kolazh. Jo rastësisht aty mungojnë edhe fotot e shumë protagonistëve, që nuk ishin të pranishëm më 8 shkurt 2018, por u bënë zëra të rëndësishëm të protestës më vonë, si Roza Anagnosti, Gulielm Radoja, Artur Çani, Sesilia Plasari, Kreshnik Merxhani, Endrit Yzeiraj, Adriatik Lapaj, Elona Caslli, Genc Sejko, Avni Delvina, Tit Seranaj, Artan Raça, Altin Goxhaj, Aulon Kalaja, Zirkon Disha, Edi Dingu, Artan Manushaqe, Ergin Zaloshnja, Bujar Llapaj, Ilir Mërtiri, Neritan Sejamini, Vincent Van Gerven Oei etj, pa harruar ata që nuk erdhën kurrë në shesh, por bënë shumë më tepër se ne përmes medias, si psh Aurel Plasari, Luan Zyka apo Rubens Shima etj.

Më 9 shkurt, ministri i atëhershëm i Kulturës, Kumbaro, shpalli se Teatri Kombëtar do të zhvendosej përkohësisht tek ArTurbina, duke ngritur dyshimet se Rama do të niste të zbatonte planin e tij 20 vjeçar për shembjen e ndërtesës historike të TK. Nga ky çast, protesta nuk mund të ishte më thjesht e artistëve dhe qytetarët nisën t’i bashkohen asaj, të ndrojtur, si spektatorë, derisa një grup aktivistësh, i njohur me emrin “Qytetarët për Parkun”, kontaktuan me autorin e këtij shkrimi, më 15 mars.

Kështu lindi Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, më 16 mars, si një grup koordinator, të cilit iu bashkuan më vonë e gjithë kryesia e SASE (ku bënin pjesë edhe Romir Zalla e Suela Bako e më pas edhe Robert Budina e Taulanda Jupi) dhe kryetari i SPATK. Është rasti t’i falënderoj publikisht këta qytetarë, një pjesë e të cilëve nuk e morën kurrë mikrofonin dhe nuk dolën kurrë në fotografi kolektive. Ata janë: Arianit Morina, Besnik Bala, Artan Gjoni, Martin Gjonaj, Alida Karakushi dhe Ardian Ziu.

Ky grupim nuk tentoi kurrë të mbyllej, duke përjashtuar të tjerët. Përkundrazi, qysh në takimin e parë, hartoi një listë me dhjetëra emra intelektualësh (ketu e bashkangjitur), që u ftuan më pas për të ndihmuar kauzën. Për një vit e gjysmë, grupi pësoi ndryshime. Pati nga ata që e tradhëtuan kauzën. Të tjerë u larguan nga Shqipëria. Por grupi mbeti, solid dhe funksional, deri më 24 korrik 2019.

Qysh prej 16 marsit, u vendos se grupi nuk do të kishte kryetar. Çdo vendim do të merrej me konsensus të plotë, ose me shumicë votash dhe qëndrimi i unifikuar ose i shumicës, do të bëhej publik përmes faqes AMT në Facebook.

Ky set i thjeshtë rregullash demokratike funksionoi për mrekulli, duke e shpëtuar AMT-në nga ndikimet partiake, korrupsioni i pushtetit dhe egoizmi i individit. Asnjë dezertim nuk e kompromentoi dot këtë grup dhe besimin që ai krijoi në publik.

Koha tregoi se ata që besuan dhe ende besojnë tek ky model demokracie dhe që sot vazhdojnë të jenë anëtarë të AMT (jozyrtare), përfaqësonin frymën e ndryshimit të vërtetë, të ndryshimit që fillon nga vetvetja. Ata sot janë mes dy zjarresh: represionit të diktaturës hibride dhe sulmeve nga “partizanët” që duan ta zgjidhin çështjen e pushtetit para mbarimit të “luftës”.

Por ajo që po ndodh me Teatrin është një paradigmë e shkëlqyer e asaj që po ndodh me krejt shoqërinë shqiptare. Kjo nuk është lufta e një grupi artistësh e qytetarësh, por është lufta e shoqërisë dhe kombit shqiptar dhe atë duhet ta fitojmë të gjithë bashkë!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *