Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Barack e Michelle Obama fituan mbrëmë një çmim “Oscar”


Mbrëmjen e kaluar edhe ish-presidenti Barack Obama dhe gruaja e tij Michelle morën një çmim Oscar. Ju do pyesni si, epo kompania e tyre e produksionit “Higher Ground”, fitoi Oscar-in e parë me dokumentarin “American Factory” që u shpall dokumentari më i mirë me metrazh të gjatë.

“Historia jonë është nga Ohio dhe Kina, por me të vërtetë mund të jetë nga kudo. Njerëzit që punojnë e kanë më të vështirë e më të vështirë këto ditë”- tha Julia Reichert, ndërsa pranoi çmimin së bashku me Steven Bognar. “Ne besojmë se gjërat do të përmirësohen kur punëtorët e botës të bashkohen”.

Dokumentari flet për një fabrikë të xhamave të automjeteve në Ohajo që drejtohet nga një investitor kinez. Ai eksploron shumë çështje, përfshirë të drejtat e punëtorëve, globalizimin dhe automatizimin.

Fabrika Fuyao, e blerë nga industrialisti kinez Cao Dewang, punëson rreth 2,200 punëtorë amerikanë dhe 200 kinezë shkruan Fox News. Filmi jep një vështrim nga afër se si kulturat përshtaten me njëra-tjetrën. Tensionet rriten kur fabrika nuk i përmbush fillimisht qëllimet e prodhimit, duke arritur kulmin në një luftë të hidhur mbi të drejtën për t’u sindikalizuar.

Ish-Presidenti Obama ka reaguar për fitoren e kompanisë së tij duke shkruar: “Urime Julia dhe Steven, kineastët që qëndrojnë pas American Factory, për të treguar një histori kaq të ndërlikuar e prekëse, për pasojat njerëzore të ndryshimit ekonomik. I lumtur që shoh dy njerëz të talentuar dhe të mirë, që marrin çmimin e parë Oscar për publikimin e parë të Higher Ground. “

Edhe ish-zonja e parë ka bërë një shkrim në rrjetet sociale ku shprehet se rrëfimet më të mira “janë rrallë të pastra dhe perfekte”. Por sipas saj në këtë dokumentar qëndron e vërteta.

Barack dhe Michelle Obama nënshkruan një marrëveshje më 22 maj 2018 për të prodhuar një seri dokumentarësh për Netflix nën kompaninë e sapo formuar të tyre, Higher Ground Productions. E ky ishte dokumentari i tyre i parë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *