Templates by BIGtheme NET

Zbulohen fijet/ Si u përdor Top Channel për të mbrojtur aferën 330 mln euro të plehrave

Afera e inceneratorëve po zbulon dalëngadalë një aleancë, jo aq fluide, se sa interesash, ndërmjet Klodian Zotos dhe drejtuesve të një prej televizioneve më të rëndësishëm në vend, Top Channel.

Pak ditë më parë, kur “Boldnews.al” njoftoi se SPAK kishte nisur hetime për tenderin dyshimtë 15 milionë euro për mbylljen e landfillit të Porto-Romanos, Top Channel transmetoi një kronikë, ku flitej me superlativa se sa e rëndësishme është tjetërsimin i zonës së mbetjeve urbane të Durrësit në një Eko-Park.

Kjo kronikë, e cila argumentonte interesin e lartë publik në mbylljen e Porto-Romanos, në fakt duket se synonte amortizimin e goditjes që mori bashkimi i operatorëve “De Mare” srl dhe “Viktoria Invest International”, fitues të tenderit 15 milionë euro, nga lajmi që SPAK nisi hetimin për këtë prokurim publik.

Një investigim i mëparshëm i “Boldnews.al” provoi lidhjet ndërmjet kompanisë “De Mare” dhe “Integrated Energy” të Klodian Zotos.

Ndërkohë, të dhëna të publikuara së fundmi në media, kanë identifikuar lidhje biznesi ndërmjet Klodian Zotos dhe Eva Blushit, bashkëshortja e drejtorit të përgjithshëm të televizionit Top Channel.

Pak nga pak nis të qartësohet arsyeja se përse Top Channel, nën mbulesën e interesit publik, prej kohësh ka mbështetur aferën e inceneratorëve, insistimin për mbylljen e Porto Romanos dhe depozitimin e mbetjeve urbane në Durrësit në landfillin e Sharrës në Tiranë, nën administrimin e kompanisë koncensionare të Klodian Zotos.

“Sensibiliteti” i Top Channel për mbeturinat

Televizioni kryesor në Shqipëri, Top Channel, ka treguar një interes të veçantë për ndotjen nga mbeturinat në Durrës, ndërkohë që nuk e sheh aspak alarmante situatën në Bashkinë e Tiranës, të drejtuar nga Erion Veliaj.

Një emision i plotë televiziv në Shkurt 2019, si edhe kronika periodike për keq-menaxhimin e mbetjeve urbane në qytetin bregdetar janë transmetuar në vijimësi nga televizioni i drejtuar nga Vjollca Hoxha dhe Ben Blushi.

Në pamje të parë, kronikat duken të përgatitura për të sensibiluzuar institucionet shtetërore në Bashkinë e Durrësit që të marrin e nevojshme për përballimin e emergjencës së plehrave. Por, ky intensitet kronikash kritike për Durrësin vjen paralelisht me ngritjen e inceneratorit për përpunimin e mbetjeve në Tiranë.

“Sensibilizimi” që Top Channel i bën opinionit publik dhe institucioneve shtetërore lidhur me “emergjencën e plehrave” të Durrësit shkon në interesin e kompanisë koncensionare. Në bazë të këtyre kronikave, “Integrated Energy BV SPV” e Klodian Zotos mund ta paraqesë veten si “shpëtimtare” të situatës së Durrësit, natyrisht, duke shtuar në mënyrë galopante të ardhurat e saj.

“Fijet” që lidhin Top Channel me Zoton

Në media, përfshirë edhe “Boldnews.al”, është raportuar së fundmi për një kompani, e regjistruar në Bullgari, “EM Capital Group”. Kompania drejtohet nga Klodian Zoto i inceneratorëve dhe Eva Blushi, bashkëshortja e Ben Blushit, drejtorit të Top Channel.

Pjesë e kompanisë së regjistruar në Bullgari është edhe Mirel Mërtiri, alias Klodian Mërtiri, një shtetas shqiptar, rezident në Maltë.

Emri i Klodian (Mirel) Mërtirit nuk është i panjohur. Ai, së bashku me Klodian Zoton, njihen si bashkëpunëtorë të hershëm të ministrit aktual të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, kur të tre bashkë drejtonin kompaninë “Hermes”.

Pas këtyre të dhënave, “puzzle-i” fillon të bëhet më i plotë, duke “dekonspiruar” edhe rolin e Top Channel, i vendosur në pozitë luftarake ndaj kujtdo që synon të tregojë të vërtetën e aferës së inceneratorëve.

Përtej fasadës së mbrojtjes së interesit publik, të dhënat dëshmojnë se Top Channel dhe drejtuesit e tij duket se kanë marrë rolin e mbrojtësit publik të aferës së plehrave, mesa duket, për të mbrojtur interesat e tyre financiare, që lidhen me Klodian Zoton dhe koncensionet e tij qindra-milionë euroshe.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews

http://top-channel.tv/2018/07/10/durres-keshilli-bashkiak-shpall-gjendjen-e-emergjences-mjedisore/

http://top-channel.tv/2018/07/11/emergjenca-mjedisore-ne-durres-tani-vendimet-i-ka-qeveria/

http://top-channel.tv/2018/09/18/plehrat-mbeten-ne-porto-romano-bashkia-durres-pret-nga-qeveria/

http://top-channel.tv/2018/06/05/proteste-ne-landfillin-e-durresit-banoret-keshtu-nuk-jetohet-me/

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*