Vendosni fjalën kyçe....

Skandali me mësuesit në shkollën e muzikës në Fier, CRCA në Shqipëri kërkon shkarkimin e ministres Shahini


Pas skandalit në Fier ku një mësues i kërkonte favore seksuale një nxënëseje të mitur, qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) ka kërkuar shkarkimin e ministres së Arsimit, Besa Shahini.

Altin Hazizaj, drejtor i CRCA-së në Shqipëri, ka publikuar një letër për mediat ku i kërkuan kryeministrit Edi Rama shkarkimin e ministres, pasi e konsideron të papranueshme këtë situatë.

Hazizaj e pyet Ramën, nëse është i aftë ta ulë Shahinin në mbledhjen e qeverisë, pa pasur në mendje klithmat e vajzave që kërkojnë ndihmë, në një kohë që institucionet arsimore do të duhet të ishin pararojë e edukimit të brezave.

“A do kishit Ju guximin ta ulni Ministren në tryezën e Qeverisë këtë të mërkurë e ta shihni drejt e në sy Ministren Shahini, pa menduar dhe pa të dalë përpara syve imazhet e vajzave që klithin për ndihmë, teksa mësuesit e tyre i dhunojnë seksualisht?”- shkruan Hazizaj.

Kujtojmë se pas videos së publikuar në emisionin “Stop”, kanë dalë dëshmi tronditëse për atë që ndodh në shkollën e muzikës në Fier. Përveç mësuesit të parë, një tjetër akuzohet për të njëjtat vepra.

Emisioni “Stop” ka transmetuar me zë dhe figurë rrëfime të ish-nxënësve të kësaj shkolle, që implikojnë profesorin e kantos Agron Bego, por edhe disa kolegë të tij, të së njëjtës shkollë.

Një nxënëse tregon se si mësuesi i prekte vajzat edhe në pjesët intime gjatë orës së mësimit, duke përfituar nga ushtrimet për diafragmën. Vajza tregon se mësuesi i merrte një e nga një në klasë, me argumentin se shoqet mund t’i shpërqendronin në mësim.

Ajo tregon se si Bego është bërë “shkesë” për lidhjen intime të një shoqes së saj me një kolegun e tij, gjithashtu profesor në shkollë.

Letra e plotë e Hazizajt:

  1. Kryeministër, shkarkoni urgjentisht Ministren e Arsimit!

I nderuar Z. Kryeministër,
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,
E nderuar Kryetare e Komisionit Parlamentar të Edukimit dhe Informimit Publik,
E nderuar Kryetare e n/komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut,
E nderuar Kryetare e n/komisionit Parlamentar për Dhunën në Familje dhe të Miturit,
E nderuar zv.Kryetare e Aleancës së Grave Deputete,

Ju drejtohem të gjithëve ju, me këtë letër të hapur publike, për të kërkuar shkarkimin urgjent nga detyra e Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë si përgjegjësen kryesore të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve ne shkollat publike në vend!

Emisioni investigativ STOP, prej disa ditësh po përcjell ngjarje tepër të rënda, të cilat po skicojnë tablonë e institucioneve arsimore publike të kthyera në streha të grabitqarëve seksualë dhe të pedofilëve.

Ne të tretin program televiziv, tashmë janë vetë nxënësit, që sjellin përpara kamerave një situatë skandaloze, në të cilën fëmijët shfrytëzohen seksualisht nga mësuesit e tyre. Fëmijët deklarojnë se nuk ishte vetëm një mësues që abuzonte seksualisht me nxënëset, por një grup i tërë mësuesish. Kjo situatë e dhunës seksuale ndodhte edhe ndërmjet vetë stafit pedagogjik në prani të nxënësve.

  1. Kryeministër,

A nuk do të kishit kërkuar edhe ju, shkarkimin e Ministres së Arsimit për këtë situatë të paprecedentë dhe të mjeruar, ku është lënë të bjerë shkolla dhe arsimi publik në Shqipëri? Si prind i një fëmije që bëhet gati të shkojë në kopësht e shkollë, a nuk do të bëje të pamundurën që askush të mos guxonte të prekte, shfrytëzonte apo dhunonte seksualisht fëmijën tënd?

A do kishit Ju guximin ta ulni Ministren në tryezën e Qeverisë këtë të mërkurë e ta shihni drejt e në sy Ministren Shahini, pa menduar dhe pa të dalë përpara syve imazhet e vajzave që klithin për ndihmë, teksa mësuesit e tyre i dhunojnë seksualisht?

I nderuar z. Ruçi,

Si Kryetar i Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” a nuk ndjeheni i turpëruar për faktin se sot të vetmet lajme që vijnë nga Ministrja juaj e Arsimit janë ato me pedofilë dhe grabitqarë seksualë, që shkatërrojnë fëmijërinë e fëmijëve tanë?

E dashur Vasilika, Fatjona, Eglantina dhe Elona,

Ju jeni nëna të fëmijëve vajza dhe djem! A nuk ia bëni dot pyetjen vetes: Po sikur… t’i kishte ndodhur fëmijës tim? A nuk do të kishit ulëritur prej dhimbjes qe të del nga shpirti, si nëna dhe nuk do të kishit kërkuar ikjen një orë e më parë të Ministres që ka lejuar për shkak të mos-veprimeve të saj, që kaq shumë fëmijë të shfrytëzohen dhe abuzohen seksualisht?

A do të keni kurajo të uleni përkrah Ministres Shahini, të qeshni, bisedoni apo mbështesni punën e saj, kur në të vërtetë imazhet që ju vijnë në mendje janë ato të vajzave të pambrojtura, të lëna vetëm, që nuk kanë guxim të bëzajnë, sepse mësuesit e kësaj Ministreje po i grabisin çfarë është më e shtrenjta për to: fëmijërinë dhe dinjitetin?!

VEPRONI SA NUK ËSHTË VONË!

Mos lejoni që humbja e dinjitetit të këtyre vajzave të bëhet shkak për humbjen e dinjitetit tuaj, por edhe tonit, si qytetarë dhe si shoqëri!

Sinqerisht,

Altin Hazizaj
Drejtor Ekzekutiv
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tiranë, 18 Shkurt 2020

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *