Vendosni fjalën kyçe....

Nga gruaja e Veliajt te baxhanaku i Ramës, si u vu Skerdi i OST-së në shërbim të pushtetit 


Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), një nga ndërmarrjet që qarkullon miliona euro buxhet në vit, që prej emërimit të Skerdi Drenovës në krye të saj, është kthyer në shërbim të ndarjes së tortës së parave me familjarë të pushtetit.

“Boldnews.al” raportoi më parë për emërimin e Ajola Xoxas, bashkëshortes së Erion Veliajt, në postin e Këshilltares së Jashtme, në kabinetin e drejtorit Skerdi Drenova, me një pagë mujore rreth 1.3 milionë lekë (të vjetra).

Por, “nderi” që Drenova i bëri në Tetor 2019 ish-shefit të tij, Veliaj, nuk është i vetmi “shërbim” që drejtuesi i Operatorit të Sistemit të Transmetimit i ka bërë së fundmi personave të lidhur me zyrtarët e lartë qeveritarë.

Në Janar 2020, OST shpalli rezultatet e tenderit me vlerë mbi 300 mijë euro, me objekt “Upgrade i sistemit të releve të nënstacionit të Koplikut”.

Tenderi i fitua nga bashkimi i operatorëve “Albelettrica” dhe “Advances Bussines Solution-ABS”. Ekzistojnë shumë të dhëna publike, të cilat e lidhin emrin e biznesmenit Armand Frangu, baxhanak i kryeministrit Edi Rama, me kompaninë “ABS”, një prej fitueseve të tenderit 300 mijë euro të OST-së.

Opozita, si edhe përfaqësues të shoqërisë civile vendosin shenjën e barazimit ndërmjet “ABS” dhe emrit të Frangut, pavarësisht se ky i fundit, formalisht, nuk rezulton si pjesë e kompanisë private që ka si objekt të punës së saj shërbimet teknologjike.

Tenderi për nënstacionin e Koplikut, me shumë mundësi, fsheh edhe një “manovër” që ka kryer pak kohë më parë titullari i OST-së, Skerdi Drenova, me përjashtimin e një kompanie ndërkombëtare, “Siemens”, nga një procedurë për blerje transformatori, me vlerë 3 milionë euro.

Më mirë baxhanakun se “Siemens”!
“Boldnews.al” ka raportuar më parë se si, nëpërmjet procedure të dyshimtë, Skerdi Drenova, në cilësinë e titullarit të OST-së, në Janar 2020, shpalli fitues të një tenderi me vlerë 3 milionë euro një bashkim operatorësh, të cilët ofruan një çmim prej rreth 40 milionë lekë më shumë se sa konkurrenti që u skualifikua për disa “vogëlsira” të paverifikuara plotësisht.

Konkurenti i skualifikuar ishte bashkimi i operatorëve “Albelettrica” dhe “Siemens”. Arsyeja zyrtare për skualifikimin e këtij konkurrenti ishte mungesa e një inxhinieri IT, diçka në dukje absurde për një kompani me shtrirje ndërkombëtare si “Siemens”.

Megjithatë, nëpërmjet një interpretimi, OST, me firmën e Drenovës, vendosi skualifikimin e “Siemens” dhe bashkëpunëtorit të tij në atë tender, “Albelettrica”.

Pasi humbi në këtë tender për shkak të procedurave të dyshimta të drejtuesve të OST-së, kompania “Albelettrica” shpallet fituese në një tender tjetër, atë të nënstacionit të Koplikut, me vlerë 300 mijë euro.

Kësaj radhe, “Albelettrica” duket se kishte zgjedhur partnerin e duhur në biznes-në krah të saj, nuk ishte më “Siemens”, por kompania “ABS”, e cila lidhet me emrin e Armand Frangut. Dhe fitorja ishte e sigurt në tenderin e OST-së së Skerdi Drenovës.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Boldnews.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *