Templates by BIGtheme NET

Shahini reagon më në fund për skandalin seksual në shkollën e Fierit, por duke sulmuar mediat

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka reaguar më në fund në lidhje me skandalet seksuale në shkolla, ku rasti më i rëndë është ai i Liceut Artistik ‘Jakov Xoxa’ në Fier.

E Shahini ka reaguar duke kritikuar mediat që kanë bërë publike rastet e rënda. Ajo thotë se janë marrë dhe do merren masa për parandalimin e dhunës dhe abuzimit në shkollë, por thotë se do bëjë çmos të luftojë edhe shfrytëzimin e viktimave të abuzimit për vëmendje, duke iu referuar këtu mediave.

“Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës, për arsye të tërheqjes së vëmendjes apo vetë-promovimit, është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje, nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit.

Kam mbi dy vite në Shqipëri që shoh jetët e grave dhe vajzave të shkatërrohen nën peshën e kazanit mediatik, dhe jo vetëm! Të gjithë ne kemi detyrimin të ngrejmë zërin përballë padrejtësisë apo abuzimit dhe të sigurohemi që shkaktarët e dëmit të marrin dënimin e duhur. Por në këtë proces nuk guxojmë të thellojmë dëmin ndaj të dëmtuarit.

Asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet! Sidomos në shkollë! Masat e rrepta që kemi ndërmarrë për parandalim dhe dënim e reflektojnë këtë!

Dua të nënvizoj edhe një herë: shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për përfitim të vëmendjes është abuzim në vete. Ndaj edhe këtë formë të abuzimit do të bëj çmos ta luftoj!”- shkruan Shahini.

Prej disa ditësh, një numër aktivistësh dhe drejtori i CRCA-së në Shqipëri kanë kërkuar dorëheqjen e Shahinit, të cilën e akuzojnë se nuk ka marrë asnjë masë as para dhe as pas publikimit të rasteve të rënda të dhunës në shkollë.

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*