Vendosni fjalën kyçe....

Si dështoi shteti, gratë që u vranë nga burrat edhe pse kishin urdhër mbrojtjeje


Krimi i rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Mirditë është kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar e të përsëritur prej kohësh.

Vrasja e Esmeralda Filopatit dhe të vëllait në Mirditë nga ish-bashkëshorti, edhe pse ajo kishte një urdhër mbrojtjeje nga gjykata tregon më së pakti dështimin e plotë të strukturave shtetërore.

37-vjeçarja  kishte denoncuar më herët për dhunë Fatmir Kolecajn, burrin me të cilin kishte pasur tre fëmijë e në vitin 2017 ai u arrestua e bëri 10 muaj burg. Që prej atëherë, Filopati kishte një urdhër mbrojtjeje por ai nuk i hyri në punë.

Pak javë më parë, më 2 shkurt 2020, në Durrës, Lulzim Cuku vrai brenda banesës bashkëshorten e tij, Manjola Cuku. Kjo e fundit kishte një urdhër mbrojtjeje nga gjykata por pavarësisht kësaj, i shoqi e vrau në tualetin e shtëpisë. Sipas dëshmisë së vajzës 10-vjeçare të çiftit, Lulzim Cuku, i cili punonte në Greqi e dhunonte shpesh të ëmën.

Një tjetër krim i rëndë ku gruaja kishte urdhër mbrojtjeje ishte ekzekutimi brenda makinës i gjyqtares Fildes Hafizi më 31 gusht 2017. 39-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve e gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës u vra nga 53-vjeçari Fadil Kasemi, me dy plumba. Edhe Hafizi kishte pasur disa urdhra mbrojtjeje por ai nuk e shpëtoi nga vrasja për më tepër që Kasemi kishte priovyar ta vriste edhe një vit më parë.

Në 3 dhjetor të vitit 2016, Liljana Ruko vritet nga bashkëshorti në Fier. Ferdinand Ruko e hodhi të shoqen nga kati i katërt i pallatit ku banonin. Por rreth një muaj para krimit, Liljana Ruko kishte marrë një urdhër mbrojtjeje nga Gjykata me afat 1 vjeçar. Ferdinand Ruko urdhërohej të mos cënonte, ngacmonte, kontaktonte ose kërcënonte gruan e tij, Liliana Ruko. Por pavarësisht kësaj, ajo u vra nga i shoqi.

Një tjetër ngjarje e rëndë e ndodhur teksa një grua kishte urdhër mbrojtjeje është ekzekutimi i i Ilda Dervishit, nga bashkëshorti i saj, gardisti Admir Dervishi. Në prill të vitit 2016, ai e qëlloi atë pesë herë me armën e shërbimit nënën e dy fëmijëve të mitur, ndërkohë që më herët Ilda Dervishi kishte pasur dy urdhra mbrojtjeje. Sipas urdhrit te Gjykatës së Tiranes të vitit 2013, gardisti Admir Dervishi, konsiderohej i rrezikshëm ndaj bashkëshortes së tij deri në atë pikë sa i ishte detyruar nga gjykata t’i rrinte larg 500 metra.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *