Templates by BIGtheme NET

Azilet e pleqve në Spanjë braktisen nga punonjësit socialë, ushtria i gjen të moshuarit të vdekur

Ushtarët spanjollë të cilët tani janë vënë në shërbim të emergjencës së koronavirusit, i kanë gjetur azilet e pleqve të braktisura nga punonjësit socialë, e në disa raste i kanë gjetur të moshuarit të vdekur në shtretërit e tyre.

Prokurorët spanjollë thanë se ishte nisur një hetim për të zbardhur ngjarjen.

BBC shkruan se ushtria është futur për të ndihmuar në dezinfektimin e shtëpive të kujdesit në Spanjë, e cila është vendi i dytë më i goditur nga Covid-19 në Europë.

Të hënën Spanja regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve në ditë, plot 462, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 2,182.

Ministrja Spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles, i tha kanalit privat Telecinco se qeveria “do të ishte e rreptë kur merret me mënyrën se si trajtohen të moshuarit në shtëpitë e kujdesit”.

“Ushtria, gjatë vizitave të caktuara, gjeti disa të moshuar të braktisur plotësisht, ndonjëherë edhe të vdekur në shtretërit e tyre”– tha ajo.

Ministria e mbrojtjes tha që stafi në disa shtëpi të kujdesit ishte larguar pas përhapjes së koronavirusit.

Zyrtarët e shëndetësisë kanë thënë se në rrethana normale trupat e banorëve të ndjerë futen në depo të ftohta, derisa të mblidhen nga shërbimet e varrimit. Por kur shkaku i vdekjes dyshohet të jetë i lidhur me koronavirusin, ata lihen në shtretërit e tyre derisa të mund të merren nga një personel funksional i pajisur siç duhet. Ministri spanjoll i shëndetësisë, Salvador Illa, tha në një konferencë shtypi se shtëpitë e kujdesit për të moshuarit ishin “një përparësi absolute për qeverinë”.

Madridi do të përdorë një shesh të madh patinazhi, Palacio de Hielo, si një morg i përkohshëm, ku trupat do të ruhen derisa shtëpitë e varrimit të mund t’i mbledhin ato.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*