Templates by BIGtheme NET

Ministrja e Shëndetësisë e konfirmon: Drejtori i Urgjencës Kombëtare i infektuar me koronavirus

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka konfirmuar se ka rezultuar pozitiv pas testit për koronavirusin, edhe Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.

“Dr. Skënder Brataj është konfirmuar pozitiv ditën e sotme pas kryerjes së analizës për Covid19. Deri tani gjendja e tij paraqitet e stabilizuar dhe Dr. Brataj ndodhet në vetëizolim, në shtëpinë e tij.
Uroj me shpirt ta kalojë sa më lehtë këtë situatë dhe t’i bashkohet sa më shpejt, i shëruar plotësisht, ekipit tonë që po lufton çdo ditë me këtë armik!”– shkruan Manastirliu.

Brataj është pjesë e Task-Forcës së ngritur nga Ministria e Shëndetësisë për koronavirusin. Ai ishte fotografuar dje duke dalë nga ambientet e spitalit Infektiv, pasi kishte kryer tamponin për Covid-19.

Para pak ditësh gjatë një konference për shtyp, duke shpjeguar rrezikun nga Covid-19, Brataj tha se edhe ai mund të ishte i infektuar por që nuk kishte shfaqur asnjë simptomë.

“Ju lutem qytetarëve, nuk është vetëm forca dhe ligji që do ju detyrojë. Duhet të filloni nga mirëkuptimi, që duhet të izolojmë lëvizjet, kontaktet. Për fat të mirë rruga e përcjelljes është ajo e spërklave, jo nga ajri siç janë shumë viruse të tjera. Distanca me një metër nga njëri-tjetri. Edhe unë nuk e di, jam apo jo i infektuar. Askush nuk po na përjashton as ne. Kështu që duhet vetëm bashkëpunim”– tha Brataj. Ai shfaqej në krah të zv.ministres Mira Rakaçolli. /Hashtag.al

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*