Templates by BIGtheme NET

Shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në Shqipëri

Është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga koronavirusi.

Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë i cili është botuar edhe në Fletoren Zyrtare.

Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare, thuhet se gjendja e fatkeqësisë natyrore shpallet në të gjithë vendin për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore merren masat e jashtëzakonshme, si më poshtë vijon: 6.1. Institucionet publike:

a) të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;

b) të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara;

c) të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike;

ç) të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;

d) të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë;

dh) të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat;

e) të kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike;

ë) të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19;

f) të krijojnë dhe të sigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin;

g) të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës;

gj) të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*