Vendosni fjalën kyçe....

Çdo shtet po i numëron të vdekurit sipas mënyrës së vet, por askush nuk po e bën siç duhet


Ka shumë dyshime mbi saktësinë e statistikave të viktimave nga koronavirusi, e mbi të gjitha në Europë. “El Pais” përmes një shkrimi thotë se numri i viktimave në të vërtetë është shumë herë më i lartë sesa po raportohet.

Në rrjetet sociale po qarkullon mesazhi: “Gjermania dhe Hollanda i fshehin kufomat nën qilimat statistikorë”.

Apo mesazhi tjetër: “Në Mbretërinë e Bashkuar, anëtarëve të familjes së një viktime të koronavirusit u kërkohet leje nëse do ta përfshijnë atë në numrin zyrtar.”

Dhe shumë më tepër qarkullojnë mbi shkallën e ulët të vdekshmërisë në Gjermani, për të cilën shkencëtarët ende nuk kanë një shpjegim të qartë (megjithëse tregojnë për një numër të lartë të testeve të kryera).

Ekspertët e Epidemiologjisë paralajmërojnë se jo të gjitha vdekjet nga koronavirusi po llogariten siç duhet. Dhe kjo është diçka që të gjitha vendet e kanë të përbashkët. Polemika në Francë përqendrohet në rastet që nuk përfshihen në statistika, bëhet fjalë për të gjitha vdekjet jashtë spitaleve.

Gjithashtu në Spanjë, sipas zyrtarëve shëndetësorë nga Komunitetet Autonome, njerëzit që vdesin në rezidenca ose shtëpi, të cilët nuk i janë nënshtruar testit, nuk po llogariten.

Kjo i bën jo të besueshme nivelet e vdekjeve. Shto këtu problemin se vetëm një pjesë e vogël e rasteve po diagnistifikohetv(në Spanjë për shkak të mungesës së kapaciteteve për të testuar), përqindja e vdekjeve mbi numrin e përgjithshëm të infektuarve është më e lartë.

“Gjithmonë do jetë një përafrim”, thotë për numrin zyrtar të viktimave Ildefonso Hernández, zëdhënës i Shoqatës Spanjolle të Shëndetit Publik (Sespas).

Italia përfshin në regjistrin e viktimave të koronavirusit të gjithë pacientët që kanë testuar pozitiv dhe që kanë vdekur, pavarësisht aspekteve të tjera të historisë së tyre mjekësore, duke ndjekur kriteret e Institutit të Lartë të Shëndetësisë. Ky entitet është përgjegjës, për të bërë një studim epidemiologjik për të zbuluar shkaqet e vdekjes së pacientëve Covid-19 dhe boton një raport dy herë në javë që tregon nëse këta persona vuanin gjithashtu nga sëmundje të tjera.

Kreu i Mbrojtjes Civile, Angello Borrelli, personi përgjegjës për komunikimin e shifrave zyrtare, shpesh tregon se këto janë “vdekje me koronavirus dhe jo nga koronavirusi”, deri sa të dalë në procesverbalet mjekësore.

 Shumica e komunitetit shkencor supozon se në mungesë të më shumë testeve që kur shpërtheu koronavirusi deri më 28 mars, janë kryer 429.526  teste, por numrat aktualë të të infektuarve dhe të të vdekurve mund të jenë shumë më të larta se shifrat zyrtare.

Deri në shpërthimin e epidemisë së koronavirusit në Mbretërinë e Bashkuar, kur një pacient vdiq në spital nga një infeksion i frymëmarrjes, shkaku i drejtpërdrejtë i këtij infeksioni nuk u regjistrua, përveç nëse ishte një “sëmundje e njohur” me ligj. Për shembull, antraksi, botulizmi, malarja ose tuberkulozi.

Raporti mjekësor tregonte thjesht bronkopneumoni, pneumoni, ose një përcaktim të ngjashëm. Që nga 5 marsi, Covid-19 është në listën e detyrueshme. Sidoqoftë, gripi sezonal nuk regjistrohet.

Deri më tani, shumica e testeve janë kryer ose në spitale, ku ka një numër të madh të pacientëve të ndjeshëm ndaj efekteve të ndonjë infeksioni, ose i janë bërë personave që paraqisnin simptoma që ishin mjaft të rënda.

Kjo është arsyeja pse autoritetet shëndetësore britanike paralajmëruan, kur numri i rasteve pozitive ishte rreth 500, se realiteti mund të afrohej më shumë te pesë ose dhjetë mijë të infektuar.

Kështu, shkalla e vdekshmërisë në Mbretërinë e Bashkuar, e cila aktualisht qëndron në 6%, në të vërtetë do të ishte shumë më e ulët, theksojnë disa ekspertë.

Që nga fillimi i epidemisë, vdekjet në Francë janë numëruar vetëm në “ambientet spitalore”, duke përpiluar të dhëna ditore nga 600 spitale dhe klinika “që marrin pacientë Covid-19”. Edhe pse vdekshmëria është më e lartë tek të moshuarit (86% e atyre që vdiqën në Francë janë 70 vjeç ose më të vjetër), statistikat zyrtare nuk përfshijnë të moshuarit që vdiqën në shtëpitë e tyre ose, mbi të gjitha, në 7000 rezidencat që mbajnë më shumë se 700,000 persona të moshuar ose me aftësi të kufizuara.

E njëjta gjë ndodh në Spanjë, ku të paktën 352 njerëz kishin vdekur në shtëpi pleqsh deri të enjten e kaluar, sipas një numërimi nga EL PAÍS. Ministria e Shëndetësisë nuk ofron shifra. Meqenëse vdekjet masive në këto qendra filluan të denoncohen në Francë, qeveria e Emmanuel Macron ka njoftuar se, duke filluar nga kjo javë, ajo “do të monitorojë çdo ditë vdekshmërinë në këto rezidenca”.

Me një normë vdekshmërie prej 0,72%, në Gjermani ka pasur disa polemika në saktësinë e tyre, sepse të dhënat e publikuara nga Instituti Robert Koch (RKI) çdo ditë jepen pas atyre që ofrohen nga Universiteti Johns Hopkins, i cili mbledh të dhëna nga e gjithë bota.

 Ata janë të ngjashme, por kërkon kohë që RKI t’i vërtetojë ato. RKI i shpjegon EL PAÍS se “të gjitha vdekjet në lidhje me sëmundjen Covid-19 janë regjistruar në të dhënat e njoftuara: Si personat që vdiqën direkt nga sëmundja ashtu dhe pacientët që kishin sëmundje shoqëruese dhe për të cilët nuk është e mundur të provohet qartësisht se cili ishte në fund shkaku i vdekjes “.

Nëse ekziston dyshimi, shton instituti, “ata mund të ekzaminohen pas vdekjes”, por nuk sqarohet nëse të gjithë të dyshuarit i nënshtrohen një autopsie.

Holandë, testi i koronavirusit është i rezervuar vetëm për pacientët e shtruar në spital. Organi zyrtar që është përgjegjës për numërimin ofron shifra të vdekjeve, infeksioneve dhe pranimeve në spital dhe konfirmon që llogaritja e vërtetë mund të jetë më e lartë, pasi këto janë vetëm rastet e verifikuara.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e El Pais


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *