Vendosni fjalën kyçe....

Lleshaj letër Bankave: Njihini të gjitha kartat e identitetit të skaduara në 2020-ën, sa të rihapim sportelet


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, u ka kërkuar bankave që të mos bëhen pengesë për qytetarët të cilëve u kanë skaduar kartat e identitetit në 2020-ën, derisa të rihapen përsëri sportelet.

“Me këtë mundësi të komunikimit publik, gjej rastin të informoj qytetarët se Ministria e Brendshme ka marrë masa për të adresuar shqetësimin e shumë qytetarëve, të cilët në kushtet e mbylljes së sporteleve të aplikimit për Karta Identiteti janë gjendur në vështirësi pranë bankave kryesisht për të kryer veprime të ndryshme bankare, apo edhe për të përfituar mbështetjen financiare që qeveria ofron ndaj tyre.

Dua të them me këtë rast që dje i jam drejtuar me një shkresë zyrtare Bankës Qendrore dhe të gjithë bankave të nivelit të dytë, me kërkesën që këto të njohin si të mirëqena të gjitha kartat e Identitetit, të cilat kanë skaduar në vitin 2020, duke synuar që qytetarët të marrin shërbimet duke përdoruar kartat aktuale, derisa ne të kemi mundësinë për t’i rihapur sportelet dhe për të vijuar prodhimin e kartave të reja identitetit.”- tha Lleshaj në një prononcim për mediat.

Ministri zhvilloi sot një inspektim të masave për karantinimin që parandalon përhapjen e COVID-19, në zonën e Vorës, në Kombinat dhe disa rrethina të Tiranës. Ai shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.

Lleshaj tha se policia do të vazhdojë të jetë në krye të detyrës për të kërkuar zbatimin rigoroz të masave dhe do të marrë masa ndaj qytetarëve, të cilët në kushtet e papërgjegjshmërisë shkelin rregullat dhe kanë rritur risqet për përhapjen e këtij virusi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *