Templates by BIGtheme NET

Nëse do ta dija se do vinte kjo ditë…

Nga Alion Çaçi

Nëse do ta dija se do të vinte kjo ditë, shumë pjesë nga rutina do i kisha vlerësuar më shumë.
Nëse do ta dija se do të mbylleshin gjithë pubet dhe kafenetë, nuk do të kisha refuzuar asnjë ftesë nga miqtë e mi, për të pirë një birrë të Martën pasdite. Sepse tani e pi birrën te pub “Dhoma e pritjes” me qenin dhe macen, që s’më përgjigjen kur u flas.

Nëse do të kisha pasur qoftë edhe një të dhënë të vogël, se kjo ditë do të vinte, do ta kisha shëtitur qenin shumë më gjatë seç e shëtisja. Dhe, bashkë me të, edhe veten time.

Sikur dikush të më kish pëshpëritur në vesh, se diçka e tillë po afrohej, do të çohesha menjëherë nga karrigia dhe do të vrapoja për në shtëpi. Do të fusja disa rroba në çantën e shpinës, do i hipja makinës dhe do të nisesha për në vendlindje, prej së cilës më ka mbetur dashuri vetëm për prindërit dhe për detin.
E me këta të tre do të isha si në bunker, nga ku do i bëja ballë më lehtë armikut.

Por sikur qoftë edhe një grimcë të gjithë kësaj ta kisha nuhatur më parë, nuk do e kisha shpërdoruar kohën duke parë lajme, por do kisha shkruar e lexuar më shumë. Çuditërisht, të dyja këto i bëj më rrallë tani.

Dreqi e marrtë si nuk më njoftoi askush se do të vinte kjo ditë, sepse do ta kisha përfunduar së pikturuari në pikturë, që e kam nisur një vit më parë.

Tani që shoh bizneset e rrënuara, do të isha përpjekur më shumë të siguroja financime për të prodhuar filmin tim të parë.

Por, sikur dikush, kushdoqoftë, nga zemërgjerësia, ta kishte ndarë me mua vetëm fillimin e gjithë kësaj. Ore, vetëm një fjalë; fjalën “izolim”, do të bashkohesha me të dashurën dhe do të ndaja me të çdo gjë, përfshirë këtu edhe sikletin e të gatuarit tre herë në ditë.

Por ç’të bëj që s’dija gjë, se po ta dija, do bridhja në natyrë çdo fundjavë dhe nuk do lija pa ngjitur asnjë nga malet, që nuk e kam ngjitur.
Nuk do të isha mërzitur nga radhët e shkurtra nëpër dyqane dhe banka, nuk do i kisha bërë naze asnjë kokërr domateje në treg, nuk do të kisha shpërdoruar lekët me veshje, që tani po më zënë myk në dollap.
Do të kisha udhëtuar më shumë, sigurisht.
Do të kisha dhuruar më shumë, do të isha nervozuar më pak, do të kisha pranuar më shumë dhe do të kisha qenë më i lumtur.

Por ja që s’e dija…

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*