Templates by BIGtheme NET

Risku i madh i bail out-it selektiv

Nga Klodian Tomorri

Le të bëjmë diçka të qartë që në fillim. Në ekonomitë e tregut të lirë nuk ka aktor më të interesuar për të dhënë para falas se sa qeveria. Arsyeja është e thjeshtë. Dhënia e parave është mënyra më efektive për të blerë pushtet. Le të bëjmë edhe diçka tjetër të qartë. Kur një qeveri jep para falas nga buxheti, ajo nuk krijon asnjë vlerë ekonomike. Përkundrazi, është duke financuar një grusht biznesesh apo individësh, zakonisht të lidhur me të, me paratë që u merr qytetarëve, përfshirë atyre më të varfërve. Këto janë dy të vërteta absolute.

Teksa pandemia thellon efektet në ekonomi, biznesi ka shtuar kërkesat për të përfituar para nga buxheti. Por ndërsa, financimi i të gjitha bizneseve me para publike është një opsion praktikisht e madje edhe teorikisht i pamundur, ekziston një risk i madh. Ai që qeveria të bëjë financime selektive, tek bizneset e afërta me të ose ato që i mundësojnë të ruajë pushtetin. Të parët janë oligarkët, të dytat mediat. Të gjithë këta tashmë janë hedhur në sulm për të marrë para nga buxheti. Secili me armët e tij. Bizneset e mëdha përmes kërcënimeve se do të pushojnë njerëzit nga puna, ndërsa mediat duke shfrytëzuar kamxhikun publik.

Ditët e fundit një pjesë e madhe e mediave kanë nisur një fushatë të koordinuar për të kërkuar para nga buxheti i shtetit. Nën titujt apokaliptik, media drejt shfarosjes apo demokracia në rrezik, industria e mediave po kërkon financime nga paratë e qytetarëve. Këto kërkesa po lëkundin qeverinë, e çuditërisht kanë gjetur edhe mbështetjen e opozitës.

Një opozitë që mbështet shpëtimin e mediave me para publike në rastin më të mirë është duke i dhënë asist qeverisë që të blejë pushtetin me paratë e qytetarëve. Megjithatë përtej simpatisë së opozitës për mediat, pyetja kritike që vlen te shtrohet është: A ka mënyra më të mira për të zgjidhur problemet financiare të një kompanie përveç shpëtimit me paratë e qytetareve? Përgjigja është po. Falimenti.

Arsyeja është e thjeshtë. Kur një qeveri shpëton një biznes, praktikisht është duke financuar fitimet e pronarëve me paratë e qytetarëve. Ky është thelbi i bail out-it.
Argumentet se paratë jepen për të shpëtuar punonjësit apo për të mbrojtur demokracinë janë thjesht justifikime për të mbuluar financimin e fitimit të pronarëve. SHBA-të e provuan kur shpëtuan industrinë e fluturimeve ajrore, atë te automjeteve dhe madje edhe bankat, edhe pse për këto të fundit shpëtimi ishte një e keqe e domosdoshme.

Bail out-i është gjithmonë një politikë e keqe. Bizneset mund te shpëtohen edhe pa para publike falas. Njëra mënyrë është kredia e butë me garanci qeveritare. Nëse as kjo nuk funksionon, atëherë ekziston gjithmonë falimenti. Dhe falimenti nuk do të thotë domosdoshmërisht likuidim i një biznesi, pasi ekziston dhe ristrukturimi.

Qëllimi i riorganizimit është të mbajë biznesin në punë. Kur një kompani ristrukturohet, nuk do të thotë se po shfaroset. Ah po. Ata që shfarosen janë pronarët dhe aksionerët, të cilët mund te humbasin të gjithë aksionet. Kreditorët gjithashtu mund të humbasin një pjese të parave, ndërsa punonjësit që shkurtohen mund të trajtohen gjithmonë përmes skemave sociale. Pas kësaj, jeta vazhdon.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*