Vendosni fjalën kyçe....

Trump i kritikoi, reagon OBSH-ja: Të mos politizohet kriza shëndetësore


Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbrojti të mërkurën me forcë menaxhimin e koronavirusit nga ana agjencisë së tij, në përgjigje të kritikave të Presidentit Donald Trump dhe sugjerimit të tij se mund të rishikojë fondet për OBSH-në.

Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje për unitet dhe për ndaljen e “politizimit” të krizës shëndetësore globale.

“Më të fuqishmit duhet të udhëheqin me shembullin e tyre dhe të vendosin në kuarantinë politikën e COVID-it”, tha ai.

Ai tha se priste që fondet e Shteteve të Bashkuara të vazhdonin me mbështetje tradicionale dypartiake.

Në vitin 2019, Shtetet e Bashkuara i dhanë 400 milionë dollarë agjencisë me qendër në Gjenevë. Faqja e internetit e OBSH-së i radhit Shtetet e Bashkuara si dhuruesin e vet kryesor, duke kontribuar një shumë që përbën pothuajse 15 për qind të buxhetit të saj.

“Ne e kemi informuar botën për të dhënat dhe informacionin më të fundit”, tha zoti Tedros, raporton VOA.

Presidenti Donald Trump tha në një konferencë shtypi të martën se Shtetet e Bashkuara do të “ndalnin fondet që shpenzojnë për OBSH-në”,por u duk se u tërhoq më pas kur tha se “do ta shqyrtojmë një gjë të tillë”.

Tedros, hodhi gjithashtu poshtë sugjerimin e zotit Trump se OBSH-ja ishte përqendruar tek Kina, duke thënë se “ne jemi pranë çdo vendi”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *