Vendosni fjalën kyçe....

“Rama gënjen, ka ndihmuar gjithsej 9059 familje” – Bardhi publikon dokumentin e Rezervave të Shtetit


Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama lidhur me deklaratat e tij për familjet e ndihmuara gjatë pandemisë.

Numri dy i selisë blu, Bardhi, shkruan në rrjetet sociale se deklaratat e Ramës se ndihmohen 10 mijë familje në ditë, 250 mijë familje gjithsej janë gënjeshtër e shëmtuar.

“Rreth orës 21.00 të çdo mbrëmje, qytetarët shqiptarë ushqehen me një gënjeshtër të re nga Edi Rama. Përmes regjimit të facebook-ut, ai njofton se qeveria ka furnizuar me ndihma rreth 10 mijë familje në ditë, 250 mijë familje gjithsej që nga mbyllja e ekonomisë. Kjo është një nga talljet e tij të zakonshme me shqiptarët që po vuajnë pasojat e keqmenaxhimit të krizës. Kjo është një gënjeshtër e shëmtuar e kllounit që kemi për kryeministër, i cili nuk do t’ia dijë për mijëra familje në nevojë dhe biznese pa asnjë të ardhur që i ka lënë në mëshirë të fatit. E vërteta është shumë larg asaj që propagandon Edi Rama çdo mbrëmje.” – shkruan Bardhi.

Bardhi shkruan më tej se qeveria ka shpërndarë gjithsej 9059 pako ushqimore gjithsej nga Rezervat e Shtetit, sipas një dokumenti të publikuar prej tij. Ai thotë se sipas kësaj shifre, qeveri ka furnizuar mesatarisht 3 famijë në ditë për çdo bashki.

“Megjithëse numri i atyre që kanë mbetur pa punë, i atyre që kanë më pak të ardhura ose që nuk kanë fare të ardhura është rritur ndjeshëm, qeveria ka shpërndarë më pak 10 mijë pako ushqimore për 50 ditë. Më saktë, 9 059 pako ushqimore nga Rezervat e Shtetit, siç tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen Civile.  Kjo do të thotë se qeveria ka furnizuar me ushqime, mesatarisht, 3 familje në ditë për çdo bashki të vendit. Atëherë ku shkuan 1.5 milionë euro të cilat ia dha klientit të vet të preferuar për të furnizuar me ushqime Rezervën e Shtetit?” – shton Bardhi.

Në fund sekretari i PD-së deklaron se ajo që bën Rama e qeveria e tij nuk është gënjeshtër por përpjekje kriminale për të mbuluar me propagandë vështirësitë që kanë qytetarët për të siguruar jetesën.

“Të japësh 9 059 pako me ushqime dhe të thuash që ke ndihmuar 250 mijë familje nuk është thjesht një gënjeshtër e radhës. Është një përpjekje kriminale për të mbuluar me propagandë vështirësitë reale që kanë qytetarët për të siguruar jetesën dhe mbijetesën. Regjimi i facebook-ut të Edi Ramës nuk e ndryshon dot faktin se sonte me mijëra fëmijë do të flenë me barkun bosh për shkak të dështimit të tij për t’u ardhur vërtet në ndihmë.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *