Nga Valmora Gogo
Jo më larg se sot në media qarkulloi lajmi se emisioni i Sonila Meços në “Ora News” është gjobitur me 10 milionë lekë të vjetra për shkeljen e distancës sociale.
Mjafton të kesh një memorie normale për të qenë një gazetar me tema nën mëngë në Shqipërinë tonë. Edhe për të mbajtur një qëndrim.
Del e tepron si argument i parë ngjashmëria e këtyre dy fotove, të cilat as më shumë e as më pak na paraqesin faktin e përdorimit të një standardi të dyfishtë mbi mediat dhe politikën.
Në të parën shfaqet imazhi i emisionit “Tempora” të Meços, ndërsa në të dytën një mbledhje e kryesuar nga Rama po këto ditë. Një paralele e llahtarshme, me të njëjtin pozicionim e me të njëjtën “shkelje” të distancës, madje në rastin e së dytës me një person më tepër në sfond.
Po Rama a mori 10 milionë lekë gjobë si Meço? Çfarë paska pra më shumë se Sonila, Edi? Çfarë paska më pak se Edi, Sonila?
Memoria bën sërish rrengje. Ajo të çon te ca ditë më parë, fiks te një rast tjetër i ngjashëm, i cili u mbyll me penalizim shumë herë më të lehtë se ky ndaj Meços. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor u mjaftua vetëm me një paralajmërim ndaj Eni Vasilit për emisionin “Open”, një emision i kapur me “shkelje” të ngjashme si të Sonila Meços. (Lexo këtu për më shumë)
Çfarë paska pra më shumë se Sonila, Eni? Çfarë paska më pak se Eni, Sonila?
Ky është as më shumë e as më pak fakti i dytë që i vë vulën konkluzionit të përdorimit të një standardi të dyfishtë: gazetarët e “Top Channel”-it marrin vetëm paralajmërime, ndërsa ata të “Ora News” këputen me gjoba, madje minuta më parë Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka kërkuar edhe mbylljen e sinjalit të transmetimit të këtij televizioni.
Nuk është hera e parë që në Shqipëri disa media dënohen por të tjera kursehen, ku kryeministri nuk merr gjoba ndërsa kreu i opozitës po.
Kryeministri i një vendi që pretendon se po e integron në Bashkimin Europian duhet t’i kërkojë falje Sonila Meços për standardin e dyfishtë të përdorur ndaj saj dhe qëllimin dashakeq që ka ndaj platformës në fjalë.
Pastaj duhet të na kërkojë falje ne, publikut, për luftën ndaj emisioneve sepse në të vërtetë po kërkon të na heqë lirinë për të marrë vesh se çfarë ndodh në vendin që thotë se po i lulëzon nga suksesi.
Dikush do thotë ç’punë ka kryeministri me gjobat e inspektoriatit? Po inspektoriati ç’punë ka me gjobat e munguara ndaj Ramës dhe Vasilit?!