Vendosni fjalën kyçe....

Pse, ky ishte plani?!


Blog-Autor: Rezart Lahi

Nqs plani ishte të zëvendësohen policët që i quanin “barkderra” me këto 25 vjeçarët gangstera lagjesh…keni bërë një vrimë në ujë.

Pse masat merren veç kur dikush arrin të filmojë diçka dhe nuk kemi raste kur vetë policia publikon dënimet penale të efektivëve të saj abuzues?

Dhuna në komisariate ku s’ka kamera është e madhe. Me gjithë investimet që janë bërë në komisariate duke i bërë me xhama dhe lulishte, pse nuk vihen kamera në qelitë e paraburgimit?

Pse fiken kamerat e trupit të policisë kur hipin n furgon?

Pse nuk kemi asnjë polic që ka kurajon të denoncojë dhuneën e kolegëve të tij dhe pse asnjë polic nuk është dënuar me burg me masa maksimale për dhunë apo edhe kolegët e tij për mos-kallëzim krimi?

A është mbështetje e dhunës nga ministri, kryeministri apo Drejtori i Policisë nëse nuk kërkojnë publikisht që e gjithë trupa prej 5 policëve të denoheshin penalisht, pasi nëse 3 po e mbanin e 2 po e gjuanin adoleshentin, që të 5 janë bashkëpunëtorë në krim?

Nëse si nëpunës policie që paguhesh nga ne për të ndalur krimin sheh që një koleg po bën një vepër penale dhe nuk e ndalon fizikisht e më pas edhe ta denoncosh, (në mos për bashkëpunëtor) a duhet të dënohesh për shkelje të detyrës që ke lejuar një vepër penale të bëhet në prezencën tënde dhe nuk e ke kallëzuar atë krim?

Pse nuk raporton policia sa deklarata ka patur nga të shoqëruar apo arrestuar për dhunë dhe sa i ka dokumentuar dhe referuar për ndjekje penale.

Cili është raporti mes denoncimeve dhe dënimeve dhe a ka hetuar SHPÇB nëse bëhen qëllimisht gjysmake në mënyrë që të ketë mungesë provash edhe ato pak dosje që mund të referohen (për ato pak policë që nuk i kanë lidhur telat mirë) ?

Sa prej atyre oficerëve janë arrestuar dhe janë larguar përgjithmonë nga policia?

Sa herë i është bërë presion denoncuesve nga vetë marrësit e deklaratave se i del më keq nëse bëjnë denoncimin apo nëse nuk provohet akuza do ketë kundër-akuzë për dëshmi të rreme apo punët do i shkonin më keq?

A është i filmuar me video dhe zë zyrat ku merren referimet? Nëse jo pse jo kur ne kemi këtë sëmundje dhe këtë Kanun të Ri “Bese” mes dhunuesve dhe kolegëve të tyre që referojnë këto çështje?

Si mund t’i besosh dhe të denoncosh për dhunë tek kolegu i atij që sapo të ka thyer hundën kur asnjë prej tyre nuk është bërë shembull?

A është bashkëpunëtor në krim edhe oficeri që influencon që denoncuesi të mos e kryejë denoncimin?

Shkoni në komisariate dhe shihni se çfarë kanë të shkruara në qelitë e paraburgimit. Keni mesazhe dhe dëshmi të qarta në mure që i kanë lënë të shoqëruarit aty. Sa më dhimbsen taksat tona për këtë Sherbimin për Çështjet e Brendshme apo këto institucionet me Avokatera Populli e gjëra të tilla për të Drejtat e Njeriut.

Policia s’ka nevoje për ‘Range Rover’ ose ka por pasi të merret me gangsterët me spaleta që ka në radhët e saj ku zbatimi i ligjit është një shapkë që e shkelin se herë lëvizin këmbën. Ka nevojë për një provë të fortë që policia është shërbim dhe jo nënshtrim i komunitetit.

Nëse një kryeministër, ministër apo Drejtor Policie do donte të ndërtonte një polici që i shërben kujtdo do kërkonte nga deputetët tanë të mrekullueshëm, 2 fishimin e masave penale për çdo polic që shkel ligjin pasi ai është mbrojtësi i tij dhe është në krye të detyrës ku qytetarët i binden autoritetit te tij.

Psh në rastin e videos së policit që ngacmoi vajzën, nëse një individ i thjeshtë më makinë mund të dënohet deri në 5 vite, një polic duhet të ketë 2 fishin. Nëse ai kishte koleg në makinë edhe ai duhej të dënohej për moskallëzim krimi.

Ndaj dhe përrallat me pezullime disa ditore sa të kalojë nga media na i kurseni.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *