Templates by BIGtheme NET

Kurti reagon pas kërcënimit: Regjimi i vjetër nuk kërkon të më frikësojë mua por Gjykatën Kushtetuese

Kryeministri në Detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar një dokument nga një grupim i quajtur “Garda Vullnetare Shqiptare” në të cilën ai kërcënohet.

Lidhur me këtë kërcënim ai thotë se nuk është ndaj tij por ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Kurtit, regjimi i vjetër është i frikësuar dhe kërkon të frikësojë Gjykatën Kushtetuese ambasadorët me destabilizim nëse Presidenti humbin rastin.

Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër.

Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata.

Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin.

Dekreti i Presidentit nuk është amandament kushtetute. Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë.

Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në zgjedhjet e ardhshme do ta thellojmë diferencën si asnjë subjekt tjetër i parë në Kosovën e pasluftës”-shkruan Kurti.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*