Vendosni fjalën kyçe....

Nën `grackat` e mendimit heuristik!


 

Nga Ela Tollkuçi

Lektore,

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë  

E pranojmë, të githë u `prekëm` nga Covid-19! Në fakt, duhet saktësuar se (falë Natyrës-Zot!) nuk u prekëm të gjithë nga mushkëritë, por nga ajo që shpesh e dëgjojmë si `mendore` e që besoj njëzëri i referohemi mendjes apo të menduarit tonë. Po po, mendimi u prek shumë aq sa s`kishte rëndësi mosha apo formimi i atij që tregonte, e rëndësishme ishte të kishe gjëra për të thënë.

Të vegjëlit, ah na kënaqën! me ato videot dhe tutorialët e lezetshëm duke larë duart me përpikmërinë që vetëm fëmijët kanë kur respektojnë kriteret, duke na impresionuar me eksperiemente mbi sesi sapuni largon virusin, apo edhe duke na demostruar ecurinë e një mësimi online që herë lavdëronte dhe komplimentohej dhe herë, ashtu si “uh më fal se më shkau“, tregonte vështirësinë dhe vrazhdësinë e një procesi që duam apo s`duam nuk qe aspak një lloj dhe i lehtë për të gjithë.

Sido që vajti, paradoksale ishte se nëpërmjet rrjetit çdo gjë na u bë shumë viru-sale! Po ç`ngjau vallë me të rriturit? Cili prej tyre foli? Si dhe qysh? Eh, po ja folën mjekë e shumë profesion-istë (pandemiologjistë, virologjistë, etj), folën burra dhe gra shteti, folën (ca si shumë) gazetarë e analistë, folën artistë, shkrimtarë e akademikë sa në rrjet e në TV, folëm të gjithë e thamë gjithçka deshëm duke përfituar nga një hapësirë publike online që më shumë se kurrë na zhndërvjelltësoi me këtë mungesën e barrierave virtuale. Sërisht një paradoks interesant! Kufizimit ambjental ju kundërvu e pakufizueshmja dixhitale. Me veshin tonë të vdekshëm u munduam në këto kohë të interpretojmë të pathënat trupore dhe mishërore të tjetrit që nëse më parë i`a besonim imtësisë së syrit dhe ndjeshmërisë së lëkurës apo nuhatjes, tani ju besuan ekskluzivisht këtij organi që për hir të së vërtetës nuk e kemi dhe aq të stërvitur në kësi punësh. Pra, çfarë realisht dëgjojmë? Ndoshta më saktë një psikolog do të pyeste se ç`deshi mendja të dëgjojë dhe sa u ndikua ajo nga të vërtetat personale apo ato `të gatshme` që u servirën në këto kohë ?

Në vazhdën e këtij reflektimi, jam ndalur shumë mbi një mendim që në psikologji njihet si si Heuristik. Është në thelb një skemë dhe model i të menduarit, që ka zënë vend mirë në mentalen e njeriut, që lehtëson reflektimin dhe përshpjeton vendimarrjen por shpesh herë me kosto të mëdha në cilësinë e gjykimit. Mendohet se ka rreth 12 të tilla, por shumë të studiuara janë katër prej tyre të gjitha të etiketuara dhe kuptimplota në emërtim. Njëra prej këtyre, i referohet besimit ndaj intuitës dhe vendimarrjes emocionale. Të gjithë pa diskutim të prekur prej saj, paçka se jo njësoj të predispozuar për ta vënë atë në vepim. Nisur nga kjo, për disa nga ne heuristika e intuitës i bashkangjitet më së shumti marrëdhënieve afektive dhe dashurore kurse për të tjerë `afektivja` i shkon më për shtat një ideologjie, politike, një sistem apo stukture që lind dhe vdes me socialen, duke u sjellë kështu ekskluzivisht dhe vetëm në tilla raste me pasion e dashuri. Ҫfarë rekonadohet? Asgjë më shumë se pak vëmendje për të kuptuar se, edhe pse pa formula, nga të dyja është marrëdhënia njerëzore më e predispozuar drejt një funksionimi të mbarë për intuitë. Pjesa tjetër, do të kërkonte më shumë racionalitet ashtu siç bëjmë kur blejmë një mall të mirë a vendosim për profesionin që do të na sjell sukses. Ndaj, nëse s`kemi frikë dhe duam një jetë më të mirë, le të dashurojmë me intuitë dhe të përfshiheni në të tjerat gjera më me racionalitet.

Të tjera heuristika e kthejnë vëmendjen tek shansi dhe probabiliteti, jo ai prej gjasme por prej vërteti! Njihen përkatësisht si huristika e përfaqësueshmërisë dhe e disponibilitetit. Sa e sa herë mendojmë se kemi gjykuar mirë, por të vënë përballë arsyetimit dhe shanseve reale, resulton se frymëzimi ka qenë më shumë stereotipik dhe retorik. Me ju thënë të vërtetën, këtë ne e testuam me ju gjatë izolimit pandemik. Studentët e vitit të tretë në degën Studime Psikosociale `eksperimentuan` online mendimin e shumicës mbi pasojat dhe menaxhimin në vend të problemit global. Vetëm se qëllimi i tyre nuk ishte ishte ky, por ndërtimi i mendimit nisur nga hamendësimet që rezonojnë dhe truket e mendjes nën efektin e këtyre manovrave. Rezultatet na surprizuan pa masë! Në mendjen e shumicës, shifrat i lënë vendin skupeve dhe mendimi objektiv, fjalëve të përzgjedhura që zgjojnë prototipat e gatshëm për t`u bërë aktiv. Efekti final, është si në rastin kur të bëjnë të thuash fjalën pa marrë përgjegjësin se të çuan vet aty e duke larë duart në fund me batutën: `ti e the, nuk e thash unë `! 

Nëse do të shprehja preferencën finale, atëhere personalisht do veçoja heuristikën e ankorimit apo siç njihet ndryshe të akomodimit. Kjo më intrigon pasi fton të reflektojmë mbi përmbajtjet ose më saktë gjysëm të vërtetat e atyre që dëgjojmë. Ka një efekt të hollë përparësie kur ata që flasin të parët dhe të parat gjëra që thonë, avantazhohen pasi tërheqin dhe strukturojnë mendimet e tjera që për pasojë janë më të prirura të konfirmojnë sesa të kundërshtojnë. Është interesante sesi ne priremi të gjejmë të vërteta në gjërat që të parët për nga radha thonë, e aq më tepër kur i veshim atyre të drejtat për ekspertizë. Sa shumë i qëndrojmë në linjë këtij mendimi, e veshim dhe e plotësojmë apo në të kundërt, e kundërsthojmë fuqishëm vetëm atëhere kur me tjetrin ndajmë publikisht diferenca në interesa, bindje apo gjykim?!

E në të gjithë këtë, e vërteta asnjë herë nuk del e plotë pasi, ose vetëm fryhet në përpjekjen për të mbrojtur njërën linjë, ose thjesht harrohet e tretet mes kundërshtimesh që kanë të tjerë padronë. E vërteta e dimë, nuk është asnjëherë absolute dhe aq më pak e vetme. Por sa jemi në gjendje të kapim qoftë edhe elementë të saj nëse rrëfyesi i parë përzgjedh, rendit dhe organizon fjali me kujdesin e tillë për të krijuar ndjek më shumë sesa kundërshtarë të tij? Ҫ`jam duke bërë unë që dua pëlqimin dhe përkrahjen tuaj në mendim? Ҫ`jeni duke bërë ju?! Po ndani, shtjelloni, plotësoni apo kundërshtoni këtë rrëfim?? Në të gjithë këtë, një gjë është e sigurt: gracka e mendimit heuristik është aty për të gjithë. Studiues socialë e njohin dhe ftojnë të merret në konsideratë gjatë arsyetimit të përditshëm, mediatik dhe akademik, të vetëdijshëm për faktin se natyra njerëzore nuk ka asnjëherë plotësisht shpëtim prej tij.

Në mungesë të kontrollit të plotë, ajo që pritet nga një informim i mirë është të japi të dhënat të plota e të luaj sa më pak me to. Kjo është e nevojshme jo vetëm në priudha krizash dhe izolimi ku, ngaqë `nuk prekim dot me dorë`, jemi më të predispozuar të `infektohemi` nga ata të cilët kanë shumë interesa ndaj mendimit tonë heuristik. Kjo në fakt është e rëndësishme në çdo kohë dhe ndaj çdo informimi publik apo mediatik duke i vënë në përparësi ata që priren të ballafaqojnë, krahasojnë, plotësojnë me statistika dhe peshojnë me komplementaren atë informacion për të cilin njohin se mund të gabojnë. Ndaj, për të gjithë ata që besojnë në këtë mendësi, duan të marrin më të mirën prej tij e sidomos për të gjithë të rinjtë, këshilla do të ishte të lexoni dhe të informoheni, të dëgjoni dhe të qëndroni të hapur por gjithnjë me sa më shumë vetëdije për të vënë mendjen tuaj në provë nëpërmet një `po sikur-i?` të thënë me shumë dashamirësi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *