Templates by BIGtheme NET

Pjesë nga Kurani e transmetime nga profeti, krerët e politikës urojnë Fiter Bajramin për myslimanët shqiptarë

Presidenti Meta, kryeministri Rama, ish-kryeministri Berisha e kreu i PD-së, Basha, kanë uruar besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin.

Meta shkruan ndër të tjera se suksesi  njeriut qëndron te forca për të kapërcyer vështirësitë me dashuri e respekt ndaj njëri-tjetrit duke cituar një hadit nga profeti Muhamed a.s.

“GËZUAR FITËR BAJRAMIN!

Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor.

Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat. Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive. Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”. Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë. Zoti ua pranoftë agjerimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit! Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi! Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen.”

Kryeministri Rama ka zgjedhur urimin me anë të një fotoje ku shkruhet mesazhi: “Gëzuar Fiter Bajramin. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju”

Ish-kryeministri Berisha ka përcjellë dy mesazhe në Facebook. Në mesazhin e parë uron besimtarët ndërsa në të dyti zgjedh që përvec urimit të sulmojë edhe kryeministrin Rama.

Mesazhi 1

“Urimet me te perzemerta kete nate Bajrami per te gjithe besimtaret musliman. Nderim te veçante per te gjithe ata qe mbyllen sonte me agjirim muajin e madhnueshem te Ramazanit! Sb”

Mesazhi 2

Neser besimtaret musliman, me thirrjen e Zotit te Gjithefuqishem e Meshirplote mbushin sheshet per tju lutur dhe falur Atij. Zoti ua pranofte! Faqen e zeze past perjete ateisti qafir, qe ne traditen e eterve te tij mizor mendoi se mund te pengoje besimtaret musliman te falin Bajramin! Sb”

Basha nga ana e tij ka zgjedhur të urojë duke cituar një sure të Kuranit.

“Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin, festën e madhe të shpresës dhe besimit! Koha që po kalojmë është plot sprova të mëdha për çdo shqiptar. Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, forca e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë. Bashkoj lutjet e mija me të gjithë besimtarët, në veçanti për çdo bashkëqytetar në vështirësi e pamundësi, për ata që lëngojnë e kanë nevojë për dritën në fund të tunelit, për prindërit dhe për fëmijët tanë e për mbarë kombin tonë, me këtë sure me titullin kuptimplotë Shndritja:

“Si kur shndrin dielli i mesditës,

Ashtu dhe natën kur terri bie,

Zoti yt nuk të ka braktisur,

As zemëruar me ty nuk është.

Dhe patjetër çfarë po vjen,

Për ty më mirë do të jetë se çfarë po shkon,

Dhe Zoti duarplot do të jetë me ty,

E ti i lumtur”.

Zoti ju dhëntë begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*