Templates by BIGtheme NET

“Vëri prangat, lidhe qenin. Të q**sha median” – Si ndërhynë policët e armatosur brenda teatrit (Video)

“Fute, fute brenda. Vëri prangat, lidhe qenin. Të q**sha median”.

Këto janë disa nga thirrjet që dëgjohen nga forcat e policisë që ndërhynë më forcë në orët e para të mëngjesit të 17 majit në Teatrin Kombëtar për të nxjerrë jashtë qytetarët, artistët e gazetarët që qëndroni brenda në mbrojtje të tij.

Materiali video është publikuar nga gazetari Ariglon Pali, ku tregohet sjellja e efektivëve gjatë ndërhyrjes në godinë.

Një mbrojtje që zgjati më shumë se dy vjet e gjysmë.

Dhjetëra forca policie të armatosura ndërhynë në orët e para të mëngjesit të së dielës së 17 majit brenda godinës së Teatrit Kombëtar, teksa fadromat kishin mbërritur dhe ishin bërë gati për të rrëzuar fasadën e Teatrit Eksperimental fillimisht e më pas të atij Kombëtar.

Në operacionin e policisë morën pjesë më shumë se 1000 efektivë të të gjitha llojeve duke përfshirë edhe RENEA-n, një trupë e destinuar ekskluzivisht për të ndërhyrë në raste të rënda që kanë të bëjnë me akte terroriste ose pengmarrje.

Ndërkohë që kryeministri Rama e ministri i Brendshëm Lleshaj e kanë mohuar me forcë dhunën e ushtruar ndaj artistëve e qytetarëve brenda teatrit, pamjet që janë publikuar ditën e ditët më pas e hedhin poshtë katërcipërisht këtë qëndrim të dyshes Rama-Lleshaj.

Dhuna e policisë vijoi edhe pas prishjes së godinave të teatrit, teksa qytetarët përpiqeshin të ndalonin rrafshimin e godinës dhe pasdite pasi prishja kishte përfunduar e qytetarët po protestonin paqësisht.

Një fakt tjetër që vlen të përmendet është se ditën e ndërhyrjes, policët nuk kanë pasur numrin identifikues në uniforma diçka që përcaktohet qartësisht në ligjin për policinë.

Në të gjitha rastet, Rama-Lleshaj e kanë mohuar se në operacionin policor kanë marrë pjesë policë të armatosur apo se është ushtruar dhunë dhe e kanë justifikuar atë që ndodhi.

Pamjet filmike e fotografitë që i janë treguar kryeministrit, ai i ka mohuar ose u është shmangur. Ndërsa ministri Lleshaj e ka justifikuar dhunën duke thënë se policia mund të ushtrojë dhunë në dobi publike dhe se monopolin e dhunës e ka shteti e kush shkel ligjin, përballet me pasojat.

Në videot e fotot e shpërndara në rrjet faktohen dy gjëra.

1 – Policia ka qenë e armatosur në ndërhyrjen e saj brenda teatrit.

2 – Ka ushtruar dhunë ndaj qytetarëve që protestonin paqësisht.

Gjithçka tjetër e pretenduar nga dyshja Rama-Lleshaj është histori që përsëritet.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*