Templates by BIGtheme NET

Maqedonia e Veriut lehtëson masat, heq orën policore dhe hap bare dhe restorante

Maqedonia e Veriut hoqi të gjitha kufizimet e lëvizjes brenda këtij shteti duke nisur nga dita e mërkurë. Ndalesa për lëvizje deri tani ka qenë nga ora 19:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit ndërsa fundjavave ishte aplikuar edhe karantinë shtetërore, por me propozimin e ri ajo do të hiqet tërësisht.

Megjithatë kryeministri Oliver Spasovski ka bërë thirrje për respektimin e masave, në veçanti mbajtjen e maskave, ruajtjen e distancës fizike si dhe përdorimin e dezinfektuesve.

“Virusi është këtu dhe do të jetë i pranishëm derisa të fitohet imuniteti ose të gjendet një vaksinë. Është e rëndësishme që qytetarët të zbatojnë masat, për mbrojtjen personale dhe largësinë. Le të jetojmë me koronavirusin por në mënyrë që do të mbrojmë shëndetin e të gjithëve përreth nesh”, ka deklaruar Spasovski, raporton REL.

Komisioni i Sëmundjeve Infektive kishte propozuar edhe hapjen e kufijve nga data 1 qershor, por kjo çështje do të diskutohet në një nga mbledhjet e radhës të qeverisë.

Hapja e kufijve, sipas propozimit të Komisionit, do të bëhet në koordinim me shtetet tjera të rajonit.

Ende nuk është bërë e ditur nëse parashihen teste për koronavirus edhe pse Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe më parë ka deklaruar se një gjë e tillë do të vështirësonte lëvizjen e qytetarëve.

Qeveria gjithashtu ka bërë të ditur vendimin për hapjen e lokaleve të gastronomisë nga dita e enjte në përputhje me protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë, ruajtjen e distancës fizike, apo përgjysmimin e kapaciteteve të objekteve ndërsa kërkohet që përparësi të kenë hapësirat jashtë lokaleve.

Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar edhe tre të vdekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Viktimat janë nga qytetet e Shkupit, Velesit dhe Tetovës.

Në të njëjtën ditë janë regjistruar edhe 16 raste të reja të të infektuarve. Në këtë vend, deri më tani 2,015 persona janë të infektuar me koronavirus, prej tyre 116 kanë vdekur, 445 ende pozitivë ndërkohë që 1,453 janë shëruar.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*