Templates by BIGtheme NET

Argumentet – Pse sistemi aktual zgjedhor në Shqipëri është problematik

Kryefjala e ditëve të fundit është sistemi zgjedhor që Nisma Thurje, e partitë e vogla në vend e shohin si problematik. Por partitë kryesore siç duket nuk e ndjejnë të nevojshëm ndryshimin e sistemit dhe janë të fokusuar vetëm në përmbylljen e Reformës Zgjedhore, pa bërë ndryshime të sistemit.

Nisma Thurje që në muajin janar, dorëzoi pranë Kuvendit të Shqipërisë propozimet ligjore për ndryshimin e sistemit zgjedhor bashkë me 50 mijë firmat që kishte mbledhur.

Propozimi është për një sistem zgjedhor përfaqësimi proporcional me lista partiake të hapura, që votuesi të ketë mundësi të përzgjedhë kandidatët brenda listës, sipas preferencave të tij.  Po ashtu propozohet që çdo votues të ketë mundësi të përzgjedhë deri në pesë kandidatë. Hapja e listave dhe rritja e numrit të votave dekurajon grupet që mund të synojnë pengimin e votuesit për të marrë pjesë në votime, pasi gara nuk do të zhvillohet më vetëm mes partive por edhe brenda saj.

relacionin mbi propozimet për Reformën Zgjedhore, aty kanë dhënë dhe disa argumente se pse sistemi aktual është problematik dhe duhet ndryshuar.

PROBLEMATIKAT:

1 – Pabarazia e votës

Nisma Thurje thekson se me sistemin aktual, një deputet i Kukësit përfaqëson në Kuvend 27’036 zgjedhës, ndërsa një deputet i Dibrës përfaqëson 21’886 zgjedhës. Pra, 87 mijë zgjedhës në Kukës përfaqësohen nga tre deputetë, ndërsa i njëjti numër zgjedhësish në Dibër përfaqësohen nga katër deputetë.

Në fakt, nëse marrim mesataren 24’687 zgjedhës për një mandat, Dibra me 131’313 zgjedhës do të duhej të përfaqësohej në Kuvend nga pesë mandate, jo gjashtë, siç ndodh realisht.

Kjo pabarazi është edhe më e madhe nëse krahasojmë numrin e mandateve për banorë. Në Tiranë, sipas censusit të fundit, ka një mandat në Kuvend për 26’328 banorë. Ndërsa në Gjirokastër ka një mandat për 12’285 banorë. Pra banorët e Gjirokastrës kanë një përfaqësim në Kuvend dy herë më të lartë për numër banorësh krahasuar me Tiranën.

Një fakt i tillë, ku vota e një banori të një qarku ka një peshë më të madhe përfaqësimi se vota e një banori në një qark tjetër, cënon parimin kushtetues të barazisë së votës, të sanksionuar në Nenin 45, pika 4 ku shkruhet “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”.

2 – Pabarazia në garën zgjedhore

Skema e shpërndarjes së numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore ka krijuar edhe probleme të tjera që lidhen me përfaqësimin e drejtë në Kuvend të vullnetit të zgjedhësve. Kjo ndarje ka rritur artificialisht pragun elektoral në disa zona zgjedhore.

 Për ta ilustruar: megjithëse sipas Kodit zgjedhor pragu elektoral është 3 për qind, në zonën e Kukësit ky prag është 34 për qind të votave, në Gjirokastër 21 për qind, në Dibër 17 për qind, në Lezhë dhe në Berat është 14 përqind. Ky prag kaq i lartë krijon një barrierë thuajse të pakapërcyeshme për përfaqësimin e grupeve të caktuara sociale, veçanërisht minoriteteve dhe grupeve të margjinalizuara, të cilat nuk arrijnë dot të përfaqësohen në Kuvend. Ky prag dekurajon kandidatët e pavarur dhe partitë e reja që të angazhohen në këto zona zgjedhore, duke bërë kështu që banorët e Kukësit dhe Gjirokastrës të prezantohen me një ofertë më të vogël politike se qytetarët e Tiranës, ku pragu elektoral është tre për qind. Një masë tjetër që krijon kushte të pabarabarta në garim është edhe skema e financimit të subjekteve zgjedhore. Kreu II i Kodit Zgjedhor përcakton rregullat e shpërndarjes së fondit nga Buxheti i Shtetit për zgjedhje, të cilat bazohen në rezultatin e subjektit zgjedhor në zgjedhjet e kaluara. Duke patur parasysh rëndësinë që kanë burimet financiare në informimin e zgjedhësve gjatë fushatës elektorale, bëhet e qartë se kjo skemë vendos në një pozicion të disavantazhuar subjektet e reja zgjedhore dhe kandidatët e pavarur.

3 – Deformimi i vullnetit të zgjedhësve

Dy subjektet zgjedhore që kanë hartuar Kodin Zgjedhor duket se janë favorizuar padrejtësisht në garën elektorale, duke deformuar vullnetin e zgjedhësve.

Mendohet se ndarja territoriale dhe formula e përllogaritjes së mandateve (D’Hondt) është në avantazh të dy partive të mëdha, duke iu dhënë atyre një peshë më të madhe përfaqësimi seç është forca e tyre reale në elektorat.

Për ta ilustruar: Partia Socialiste në zgjedhjet e 2017 ka marrë 74 mandate. Nëse do të eleminonim ndarjet rajonale dhe subjektet do të garonin në një zonë kombëtare zgjedhore, e njëjta parti, me të njëjtin numër votash, me të njëjtën formulë zgjedhore (D’Hondt), dhe me të njëjtin prag zgjedhor (tre për qind), do të kishte marrë 71 mandate, pra tre mandate më pak seç ka marrë realisht. Gjithashtu, nëse do të eleminohej pragu elektoral, kjo parti do të merrte edhe një mandat më pak, pra 70 mandate. Dhe nëse do të kishim aplikuar një formulë tjetër përllogaritëse për shpërndarjen e mandateve, formulën Sainte-Lague, Partia Socialiste do të kishtë marrë vetëm 69 mandate. Me fjalë të tjera, përzgjedhja e sistemit zgjedhor i ka dhënë Partisë Socialiste, partisë më të madhe në vend, një avantazh me pesë mandate mbi forcën e saj reale në elektorat. Për pasojë, ky Kod Zgjedhor i ka dhënë kësaj partie një mazhorancë prej 74 mandatesh (52 për qind të mandateve në Kuvend), megjithëse pesha e saj në elektorat është vetëm 48 për qind të votave të hedhura. E njëjta analizë vlen edhe për Partinë Demokratike, partia më e madhe opozitare, e cila ka përfituar një avantazh prej dy mandatesh më shumë se sa pesha e saj reale në elektorat.

4 –  Influenca politike e individëve të lidhur me botën e krimit

Sipas studimeve mbi tipologjinë e grupeve kriminale në Shqipëri , është vërejtur një karakteristikë që veprimtaria e tyre është lokale, dhe e kufizuar brenda një territori të caktuar, ku ata ushtrojnë kontroll të plotë. Gjithashtu, është vërejtur edhe një tendencë e grupeve kriminale për të influencuar zgjedhjet, duke u angazhuar në orientimin e preferencave të zgjedhësve përmes intimidimit apo blerjes së votave. Madhësia e zonës elektorale është e tillë që rrit peshën e votave të siguruara nga influenca e këtyre grupeve, në raport me numrin total të zgjedhësve aktiv në zonë.

5 – Cilësia e përfaqësimit në Kuvend dhe këshilla bashkiak

Përqëndrimi i pushtetit në duart e kryetarëve të partive për të përzgjedhur listat garuese në zgjedhje, por edhe renditjen e kandidatëve brenda tyre, nuk i lë vend përfaqësimit të mirë pasi në legjislaturën e shkuar (2013 – 2017) dyshohej se ishin mbi dhjetë deputetë të cilët kishin rekorde kriminale në të shkuarën, apo kishin lidhje me veprimtarinë kriminale.

Po ashtu sipas monitorimit të bërë nga aktorë të shoqërisë civile, raportohet se të paktën 19 deputetë të legjislaturës së shkuar, nuk kanë folur asnjëherë në seanca plenare.

Të dhëna të tilla vënë në dyshim serioz rolin që luajnë këta përfaqësues të qytetarëve, të cilët gjatë gjithë mandatit të tyre nuk e shohin asnjëherë të nevojshme të flasin në Kuvend për problemet dhe shqetësimet e votuesve të tyre.

6-  Kufizimi i të drejtës për të zgjedhur dhe dobësimi i qytetarit

Garimi i partive me lista të mbyllura për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet kolegjiale të qeverisjes vendore, bën që në fletën e votimit zgjedhësi të ketë mundësi të zgjedhë vetëm partinë, pa patur mundësi të shprehë preferencat për kandidatin që do ta përfaqësojë. Për pasojë, ushtrimi i të drejtës kushtetuese për të zgjedhur është kufizuar në një proces indirekt, duke e kushtëzuar zgjedhësin që me votën e tij të mbështesë njëherazi si kadidatin e preferuar ashtu edhe kandidatë të tjerë, të cilët zgjedhësi nuk do të preferonte t’i mbështeste. Kjo pamundësi e zgjedhësit për të përcaktuar se kush ka më tepër përparësi për të hyrë në Kuvend, ka dobësuar lidhjen direkte mes zgjedhësit dhe të përzgjedhurit të tij, duke dobësuar peshën politike të qytetarëve.

7 –  Dekurajimi i qytetarit për të marrë pjesë aktivisht në jetën politike të vendit

Lidhja e qytetarit me përfaqësuesit e tij në Këshillin Bashkiak apo në Kuvend është zbehur deri në pikën që një pjesë shumë e madhe e qytetarëve nuk ndihen më pjesë e vendimmarrjes në qytetin dhe në vendin e tyre. Listat e mbyllura i lënë zgjedhësit dy mundësi: ta pranojë ose ta refuzojë en bloc listën e paraqitur nga partia garuese në zgjedhje, çka do të thotë të mos votojë. Për pasojë, ky limitim i mundësive për të zgjedhur, si dhe zbehja e lidhjes së qytetarëve me përfaqësuesit e tyre, mund të ketë ndikuar në uljen e numrit të pjesëmarrjes në zgjedhje.

8 – Prishja e raporteve të forcës brenda partisë politike dhe destabiliteti politik

Duke qënë se votuesi nuk ka mundësi të përzgjedhë brenda listës garuese të partisë, kryetari është vendimtar në caktimin e deputetëve. Që në zgjedhjet e para me këtë sistem zgjedhor është vënë re se kandidatët e renditur të parët në listat garuese të partive të mëdha kanë rezultuar në 100 për qind të rasteve fitues në zgjedhjet për Kuvend. Kjo forcë e kryetarëve të partive për të “emëruar” deputetët i ka bërë ata tepër të fuqishëm brenda partisë, pasi përmes renditjes në listat garuese, ata kanë në dorë karrierën politike të deputetëve. Nuk është rastësi që në dy legjislaturat e fundit ata pak deputetë që janë shprehur publikisht kundër kryetarit të partisë së tyre, nuk janë futur më në listat garuese të zgjedhjeve pasuese. Kur partia është në opozitë, ky përqëndrim pushteti në duart e kryetarit mund të nxisë destabilitetin politik.

9 –  Pesha e ulët e grave në Kuvend dhe Këshilla Bashkiak

Megjithëse janë ndërmarrë disa hapa pozitiv për të garantuar përfaqësimin e grave në Kuvend dhe në organet kolegjiale të qeverisjes vendore, sërish numri i tyre mbetet i ulët. Në Kuvend, aktualisht janë më pak se 30 për qind gra, ndërsa nëpër Këshilla Bashkiak kjo përqindje varion.

Ekspertët analizojnë se është pikërisht fakti që karriera e grave politikane varet nga kryteari i partisë, çka kufizon hapësirën e tyre për t’u përfaqësuar dhe për të ndjekur një axhendë emancipuese të gruas shqiptare. Gjithashtu, po të studiohen listat garuese të partive politike, vërehet se gratë tentojnë të renditen në pjesën e “pasigurtë” të listës, çka e ul probabilitetin që ato të zgjidhen në Kuvend.

10 –  Influenca e interesave të caktuara ekonomike dhe dobësimi i forcës së shtetit

Skema e kontrollit dhe detyrimet e subjekteve zgjedhore për transparencë, janë të tilla që nuk e frenojnë dot financimin e zgjedhjeve nga burime të paligjshme, të cilat në të ardhmen kontribojnë në influencimin e pandershëm të vendimmarrjes politike, dhe në hartimin e legjislacionit që shkon në kundërshtim me interesin e përgjithshëm shoqëror. Këtu mund të përfshihen ligjet dhe marrëveshjet e ratifikuara nga Kuvendi, të cilat favorizojnë aktorë të caktuar, dëmtojnë konkurencën e ndershme në treg dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Në raste të tjera, kur burimi i parave është aktiviteti kriminal, kjo influencë e paligjshme mund të pengojë forcën shtrënguese të shtetit dhe fuqinë e tij në luftën kundër krimit të organizuar. Nga ana tjetër, vetë perceptimi publik se Kuvendi vepron në kundërshtim me interesin e përgjithshëm publik vë në rrezik demokracinë në vend. Një perceptim i tillë publik dëmton në nivel gradual edhe besimin e shoqërisë tek institucionet në veçanti dhe tek demokracia në përgjithësi. Humbja e legjitimitetit të Kuvendit, i bën qytetarët më pak të motivuar për të reaguar kur një lider autokrat injoron ligjet e vendit, apo sulmon institucionet që burojnë prej tij, duke krijuar kushtet për instalimin e një autokracie./Hashtag.al

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*