Vendosni fjalën kyçe....

Real Madridi mund ta mbyllë këtë merkato pa asnjë transferim


Përhapja e virusit Covid-19 në botë do të bëjë që ndeshjet e La Ligës të luhen në korrik, ndërsa ato të Ligës së Kampionëve të zhvillohen në gusht. Megjithatë, këto s’do të jenë ndryshimet e vetme që do t’i sjellë koronavirusi në botën e futbollit.

Në epokën moderne të futbollit, tifozët e Real Madridit janë mësuar ta shohin ekipin e tyre duke shtuar përforcime të shumta në skuadrën e tyre gjatë afateve kalimtare të verës, e më pak gjatë janarit.

Megjithatë, kjo verë mund të sjellë një ndryshim të madh për Los Blancos, pasi që e përditshmja spanjolle Marca shkruan se Real Madridi mund të mos e bëjë asnjë transferim gjatë kësaj vere.

Si shumë klube të tjera, Real Madridi ka pësuar dëme të mëdha financiare shkaku i ndërprerjes së sezonit 2019/20. Fillimisht, klubi ka humbur nga mungesa e shitjes së biletave, si dhe i ka humbur paratë që zakonisht i fiton nga shitja e gjësendeve në shitoren e klubit.

Megjithatë, bordi drejtues i Real Madridit tani është duke kërkuar për një zgjidhje ndaj këtyre problemeve financiare.

Drejtuesit e gjigantit spanjoll duan ta kuptojnë nëse mund t’i mbulojnë të gjitha humbjet përmes uljes së pagave të lojtarëve dhe drejtorëve.

Sezonin e ardhshëm, Los Blancos pret t’i humbë rreth 150 milionë euro përfitime financiare shkaku i ndeshjeve të zhvilluara prapa dyerve të mbyllura. Kjo situatë e lë Real Madridin ta mendojë si opsionin e vetëm kursimin e parave gjatë afatit kalimtar.

Lojtarët për të cilët thuhej se Real Madridi dëshironte t’i transferonte gjatë verës janë kontaktuar nga klubi dhe atyre u është thënë që ose të dëgjojnë oferta nga klubet e tjera, ose të presin edhe një vit për transferim në Santiago Bernabeu.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *