Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat e gazetës italiane, përgjigjet Ilir Kulla


Këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla ka reaguar lidhur me një artikull të publikuar në median italiane “Il fatto Quotidiano” për çështjen e arrestimit të ish-senatorit italian Sergio De Gregorio, shkrim i cili duket se ka ardhur në një kohë të përshtatshme për kryeministrin Edi Rama.

Në shkrimin në fjalë, Kulla implikohet me një fushatë lobimi për rrëzimin e Ramës. Ai ka reaguar lidhur me shkrimin e djeshëm duke e konsideruar shpifje. Pretendimin se ai jo vetëm ka lobuar kundër qeverisë por dhe se është paguar nga ish-senatori italian për detyrat që i ka dhënë vetë, Kulla e konsideron qesharak.

 “Të dashur miq kisha vendosur të mos përdorja me facebook por një fakenews e servirur në media sot në lidhje me emrin tim më detyron t’i përgjigjem atyre që kanë merakun të heqin vëmendjen nga biznesi me i madh i mafies në Shqipëri droga dhe mesa duket fatkeqësisht nga dështimi i marrëveshjes së Reformës Zgjedhore. Nuk është sekret që unë njoh dhe kam shumë miq në Itali. Kryesisht ata janë njerëz të medias. Politikës dhe Biznesit. Edhe në shkrimin në fjalë bëhet fjalë se unë paskam njohje me ish-Kryetarin e Komisionit të Mbrojtjes të Senatit italian Sergio De Gregorio. Sigurisht kam njohur këtë senator dhe shumë të tjerë deputetë, ministra madje dhe Kryeministra dhe Presidente. Pavarësisht qasjes qesharake të një shkrimi të porositur se unë paskam lobuar kundër qeverisë tonë në Itali e atij që i paskam lobuar dhe më paska paguar për “detyrën” që i paskam dhënë. Më duhet të them se kjo është vetëm një SHPIFJE dhe asgjë më tepër. Çdo kritikë, oponencë dhe opozitë që kam bërë me këtë qeveri dhe qeveritë e mëparshme i kam pasur publike dhe do t’i kem publike. I vetmi koment që kam është SHPIFJE, sa për plehrat ato nuk janë vetëm mbetje organike dhe urbane por mbi të gjitha mbetje njerëzore”, shkruan Kulla, i cili në artikull përmendet si personi që qëndron pas lajmit fals se rreth 1400 konteinerë me mbetje toksike, ishin nisur drejt vendit tonë për t’u groposur.

Çfarë shkruante gazeta italiane?

Për ta sqaruar, “Il Fato Quatidiano” shkruante dje se Sergio De Gregorio, në vitin 2017 kishte financuar aktivitetet e Ilir Kullës, i cili nga ana tjetër i kishte caktuar ish-senatorit detyrën e “organizimit të një fushate kundër qeverisë shqiptare”.

Sipas gazetës, De Gregorio ka marrë 55 mijë euro borxh nga një person me emrin Eraldo Barletta, dhe 30 mijë euro ia ka kaluar Ilir Kullës. 25 mijë euro të tjera i investoi vetë. Në përgjime, rezulton se Barletta është ankuar se ku përfunduan paratë, pasi Kulla pretendonte se nuk i kishte marrë kurrë ato para.

E po ashtu Kulla thuhet se ka angazhuar ish-senatorin De Gregorio, për të organizuar një fushatë shpifjesh se gjoja se në Shqipëri po vijnë mbetje kimike nga Italia, me qëllim rrëzimin e Edi Ramës.

Reagimi i Ramës

Kryeministri Edi Rama gjithashtu ka reaguar sot lidhur me një shkrim të publikuar një ditë më parë.

 “Kjo shpifje plehrash kishte synim të furnizonte me municion kundër meje Çadrën nën dritaren e Kryekuvendarit! Po më e neveritshmja është që plehrat iu hodhën në fytyrë Shqipërisë në sytë e botës! Ja këta janë opozitarët që duan të shpëtojnë atdheun nga unë!”, shkruan Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *