Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish me marrëveshjen e arritur dje mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Rama thotë se nuk është dakord me zërat të cilët e shohin marrëveshjen mes palëve si humbje për Lulzim Basha.
Madje Rama e quan një kthim në realitet të Bashës pas djegies së mandateve dhe mos-hyrjes në votimet e 30 qershorit 2019.
“Padyshim që s’jam dakord me ata që thonë se marrëveshja e re me LB ishte një humbje për të, se gjoja hoqi dorë nga kauza dhe nuk fitoi asgjë! Jo, sepse kauza ishte imagjinare, kurse marrëveshja është konkrete – pas djegies së kohës, mandateve ,bashkive është një rikthim në realitet”-shkruan Rama në Twitter.
Më tej shefi i qeverisë shton se kjo marrëveshje ka një anë pozitive që sipas tij konfirmon se humbja e PD-së në zgjedhjet e 2017 nuk kishte të bënte me marrëveshjen e 17 majit dhe as me integritetin e zgjedhjeve.
“Por marrëveshja e re ka edhe anën tjetër pozitive, që konfirmon se humbja e PD në 2017 s’kishte lidhje me marrëveshjen e parë dhe as me integritetin e zgjedhjeve, përderisa administrimi zgjedhor ekzistues mbeti kusht i panegociueshëm i LBPD, edhe në zhgjëndrrën pa qeveri teknike!”-përfundon ai.