Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka ndryshuar këshillat e saj për përdorimin e maskave të fytyrës, duke thënë se ato duhet të përdoren në publik, atje ku distancimi social nuk është i mundur.
OBSH thotë që informacionet e reja tregojnë se maskat mund të sigurojnë “një pengesë për shpërndarjen e piklave infektive”.
Siç shkruan BBC, disa vende rekomandojnë vendosjen e maskave në publik.
Më parë, OBSH-ja kishte argumentuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të thënë që njerëzit e shëndetshëm duhet të mbanin maska. Por të premten, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se “në dritën e evolucionit të provave, OBSH këshillon që qeveritë duhet të inkurajojnë publikun e gjerë të veshë maska”.
Ky është një ndryshim i madh i qëndrimit të OBSH-së. Për muaj të tërë, ekspertët e organizatës kishin ngritur pikëpyetje se maska do të inkurajonte një sens të rremë të sigurisë dhe do të privonte profesionistët mjekësorë nga pajisjet mbrojtëse kaq të nevojshme.