Templates by BIGtheme NET

Vetëm Luli e kuptoi pse vidhen votat dhe na dha… identifikimin biometrik

Nga Pano Soko

Miq kjo është një ditë e shënuar!

Sot, dy liderët e partive politike, dy liderët e Shqipërisë së lumtur, Ed Kallami dhe Lul Topi, ashtu si një 17 Maj më parë, edhe këtë rradhë, u ulën dhe pasi e pleqëruan me urtësinë solemne që karakterizon situatën, vendosën t’i jepnin Shqipërisë atë që ajo e kishte merituar tash e 108 vjet shtet, por që s’e kishte marrë.

I dhanë atë, – ëndrrën e parealizuar të rilindasve tanë të shquar, atë që ishte motivi i luftës së paepur të Abdylit, Naimit dhe Samiut, amanetin e fundit të Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit, motivin e jetës së Naum Veqilharxhit dhe Migjenit,
I dhanë atë, çelësin e jetës së lumtur të shqiptarëve, çelësin e demokracisë perëndimore që frymëzoi Ëashingtonin, Madisonin dhe Jeffersonin në aspiratën e tyre për një shtet amerikan të së drejtës që prosperon,
Atë që çdo literaturë botërore nga Oxfordi në Harvard, nga Cambridge në Stanford, e përmend si hallka magjike që i bën zgjedhjet të lira dhe të ndershme,

I dhanë atë…identifikimin biometrik.

Pavarësisht se të gjithë besonin se Ed Kallami i vidhte zgjedhjet nëpërmjet mbjelljes së hashashit, parasë së pistë që fut në ekonomi, mafies së ndërtimit, mafies së konçesioneve, sistemit aktual elektoral rajonal që e deformoi me reformën administrative, Lul Topi pati zgjuarsinë të kuptonte që arsyeja nuk ishte asnjë nga këto. Arsyeja e vjedhjes së votave ishte identifikimi me regjistër dhe jo-biometrik. Ky ishte problemi më i madh i vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri.
Brilant!!!

Identifikimi biometrik, ky smerald i demokracisë dhe votës së lirë nuk do të ishte bërë i mundur pa luftën gati 2 vjeçare të opozitës dhe sidomos liderit të saj legjendar Lul Topi, që për 2 vjet sakrifikoi çdo gjë, dogji mandatet, i fali gjithë bashkitë dhe gjithë këshillat bashkiakë Ed Udhëheqësit, bëri protesta dhe nxorri popullin në rrugë me sloganin “Zgjedhje do ketë kur të kaloni mbi trupat tanë” dhe i la ata të rriheshin nga policët e Ed Kallamit, e sa e sa sakrifica të tjera, të gjitha këto për të pasur dhe shqiptarët më në fund verifikimin biometrik.

Lul Topi, në strategjinë e vet për të arritur tek verifikimi biometrik, përdori një strategji që kërkon një zgjuarsi të ngjashme me të Budës. Ai u ul në 17 Maj 2017 dhe lidhi një marrveshje nga ku humbi qëllimisht në tavolinë, vetëm e vetëm për të peshkuar Ed Kallamin që kur ta kërkonte prapë në marrveshje Edin, Ed Kallami të besonte se do t’ia fuste prapë Lul Topit dhe të vinte si cjapi tek kasapi, ashtu siç edhe ndodhi. Ed Kallami erdhi prapë, por këtë rradhë e hëngri, sepse Luli i mori verifikimin biometrik dhe s’ndryshoi asgjë tjetër nga kodi elektoral- dmth ia futi Ed Kallamit – sepse në zgjedhjet e radhës, vetëm falë verifikimit biometrik (pavarësisht sistemit elektoral të njëjtë, drogës, parave të pista, blerjes së votës – le t’i mbajë ato të gjitha), Luli merr nga 86 deri në 92 deputetë, pa duar fare madje.

Njëkohësisht, Lul Topi në lidhje me ndërkombëtarët, luajti strategjinë e njeriut me karakter, dhe pasi ata i dhanë topin, ai nga inati s’e lëshoi më, por e futi në një vend ku askush nuk ia sheh dot. Në fillim, me taktikën e tij “Ça thua sot, mos e thuaj nesër” ai arriti t’i hutonte të gjithë dhe aty përfitoi nga rasti ta fuste topin tek vendi sekret.
Brilant!!!

Dhe së fundmi, Lul Topi dhe Ed Kallami bashkë në unison, falë largpamësisë së tyre dhe vizionit të tyre financiar, dështuan me sukses një tentativë për destabilitet që erdhi nga njerëzit jashtë partive të tyre, që kërkonte ndryshimin e sistemit elektoral. Ata, të dy bashkë, vendosën unanimisht që popullit të mos i jepet e drejta e zgjedhjes, vetëm e drejta e votës. Të gjithë ata që kërkojnë lista të hapura, demokraci e tërci-vërci, me kodin e ri elektoral do të shpallen non-grata në qendrat e votimit.

E pra miq, kur e thua me fjalë rëndësinë e kësaj marrveshjeje historike, (që në ndryshim nga ajo e 17 Majit 2017 nuk përfshin as OSHEE- në) duket gjë e lehtë. Por ajo nuk është ashtu siç duket. Ajo është shumë e thellë dhe lidhet me strategjinë magjistrale të opozitës dhe specifikisht i liderit të saj largpamës Lul Topi që është “Demaskimi i Pushtetit të Ed Kallamit”.

Në vazhdën e demaskimit që i ndodhi Ed Kallamit pas dhënies së pushtetit me marrëveshjen e 17 Majit, pas thellimit të këtij demaskimi me dorëzimin e mandateve, thellimit dhe më tej të demaskimit me dhënien në tavolinë të 61 bashkive dhe këshillave bashkiakë, tashmë Lul Topi, nëpërmjet planit të mirëpërgatitur me kujdes që kulmon me marrëveshjen e sotme, synon t’i japë goditjen finale Ed Kallamit, duke i lënë të fitojë dhe zgjedhjet e 2021, dhe në atë mënyrë Ed Kallami dhe keq-qeverisja e tij do demaskohen përfundimisht dhe nuk do mbetet njeri në Shqipëri që nuk do ta ketë marrë vesh sa keq qeveris Ed Kallami.

Lum si ne miq për këtë marrëveshje që u lidh sot.

Në fakt, ajo ishte menduar që të lidhej në një ditë jubile, plot 20 ditë më parë, pikërisht në 17 Maj 2020, për të përkujtuar 3-vjetorin e 17 Majit të 2017-ës. Por për fat të keq, në 17 Maj, Ed Kallamit i doli një punë me Teatrin që s’e shtynte dot, prandaj ata shtynë datën e marrëveshjes.

Urime dhe një herë të gjithë shqiptarëve!

 

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*