Templates by BIGtheme NET

Basha zbërthen “truqet” e tij të PR-it tek Arjan Çani

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të gazetarit Arjan Çani, kryedemokrati Lulzim Basha foli për strategjitë e tij të promovimit.

Ai ka treguar pse kohët e fundit ka ndryshuar stilin në veshje, ka zbuluar trukun e tij më të ri të PR-it dhe pranon se fiksimi për selfie-t mund të bëhet i rrezikshëm.

Pse Basha ka ndryshuar stil

Analisti Arjan Curi e pyeti Bashën se përsë kohët e fundit ka ndryshuar krejtësisht stil, duke kaluar nga kostumet e kravatat në veshje të çlirshme. E Basha u përgjigj duke pranuar se kjo ka ndodhur sepse më parë kalonte më tepër kohë në zyrë se ç’duhet, e tani kalon më shumë kohë në terren pranë njerëzve.

“Ah sa më kënaq. Fillove më the ke 26 minuta kohë për të fol për hallin më të madh të njerëzve që është ekonomia dhe përfundove se pse vishesh kështu.

Po ta kënaq pyetjen me një përgjigje dhe pastaj do na lësh të flasim dhe për hallet e njerëzve.

Tani ka 2 mënyra për t’ju përgjigjur kësaj. Njëra mënyrë është për të vazhduar të bëjmë misticizmin, për të treguar se kjo është pjesë e një marketimi nga një bosht anglo-amerikano profesionistësh etj, etj që nuk thuhen, të pompuar nga rrjete të fuqishme, të cilët po investohen në mënyrë të jashtëzakonshme për figurën e Lulzim Bashës, për ta projektuar atë jo vetëm si lider të Shqipërisë por mundësisht dhe të Ballkanit, me perspektivë që të jetë dhe lider global, ndërsa tjetra është fare e thjeshtë miqtë e mi, dhe unë kur ka qenë e thjeshtë e kam thënë ashtu siç është: Kur është vapë e heq xhaketën. Normalisht kam kaluar shumë më shumë kohë në zyrë se sa ç’duhet të kaloja dhe tani kaloj më shumë kohë në terren, më pak se çdo desha por më shumë se më përpara. Kjo është e thjeshtë, kjo është e vërteta.”- u përgjigj Basha.

Basha tregon trukun e ri të PR-it

Këtu gazetari Arjan Çani e pyet Bashën nëse po përpiqet të tregojë se nuk ka asnjë strategji PR-i, e kryedemokrati përgjigjet duke zbuluar trukun e tij më të ri- shkopi për të bërë selfie më rehat e mos t’i lodhet dora.

“Nuk po them s’ka strategji…nuk ka truke. Ka një truk që dje. Kam marrë atë gjënë kështu si quhet… shkopin… ta lodh krahun më pak, të jep mundësi të marrësh kënde më të mira, dhe ta mbash pak më kollaj. E vure re?” – thotë kreu i opozitës.

Basha dhe pasioni për Selfie-t

Pasi zbuloi trukun e ri, analisti Curi e pyet: “A mund t’ju kthehet në pasion ky zoti Basha, kjo pjesa e Selfieve?”.

E Basha ka këtë përgjigje: “E rrezikshme është sepse në fund të fundit, me të vërtet politikani e gazetari kanë disa të përbashkëta, sepse janë një formë mediumi. Përcjellin zërin e njerëzve aty ku merren vendime. Se politika merr vendime si rregull, gazetaria i influencon ato. Për sa kohë që nuk humbet nga vështrimi objektivin e kësaj besoj se jam ok. Kur e humbet pastaj, bëhesh i rrezikshëm. Për këtë mjafton prova aktuale.”

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*