Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i kthen “borxhin” Sejaminit, sqaron deklaratën për këshilltarët mizerabël


Rreth 3 vjet më parë ish-kryeministri Sali Berisha, i quajti mizerabël këshilltarët e Partisë Demokratike që ishin duke bashkëpunuar me kreun aktual të kësaj partie, Lulzim Bashën.

Disa portale në vend asokohe raportuan se ky cilësim i Berishës kishte nën shënjestër ish-këshilltarin e Bashës, Neritan Sejaminin.

Megjithatë thashethemnaja se Berisha e kishte fjalën për Sejaminin është sqaruar.

Siç e ka shpjeguar dhe vetë ish-kryeministri Berisha, fjalën e ka patur për këshilltarët amerikanë të Bashës.

“Dua ta sqaroj thënien time. Këshilltarët ishin të huaj, ta sqarojmë këtë gjë dhe askush tjetër. Ata bënin fokus grupe që nxirrnin rezultate jorealiste.”– theksoi Berisha disa ditë më parë në emisionin e Çim Pekës në “Syri TV”.

Basha kontraktoi në vitin 2017-të, kompaninë amerikane “Mvar Media”, ndërsa dy konsulentët e tij amerikanë ishin Steve Murphy dhe Abraham Dyk.

Kjo kompani amerikane realizoi disa sondazhe nëpërmjet bashkëpunimit me dy kompani shqiptare.

Sondazhet rezultuan jo-profesionale. Këto sondazhe të realizuara nga nënkontraktori shqiptar që nuk kishte asnjë përvojë në këtë fushë e nxirrnin Bashën fitues, sugjeronin që Basha të sulmonte sa më shumë LSI-në gjatë fushatës së 2017-ës, madje i sugjeruan Bashës asokohe që të shmangte dhe Sali Berishën nga lista e kandidatëve për deputetë.

Sugjerimet e dy konsulentëve amerikanë dhe lëmshi i sondazheve i realizuar nga nënkontraktori shqiptar e nxorën Bashën jashtë realitetit dhe çuan në humbje drastike të zgjedhjeve në 2017-ën.

Pas humbjes Berisha akuzoi këshilltarët e Bashës, por disa media keqinterpretuan akuzat e Berishës duke ja atribuuar padrejtësisht Neritan Sejaminit, i cili në fakt nuk ka qenë ndonjëherë këshilltar i Bashës.

Sejamini ka patur një kontratë pune ligjore bashkëpunimi me PD-në dhe pas skadimit të kësaj kontrate, ka mbajtur marrëdhënie njerëzore me Bashën, të cilin e ka njohje të vjetër.

Sejamini nuk ka qenë pjesë e lëmshit të gatuar në 2017-ën nga dy konsulentët amerikanë dhe kompania shqiptare  e sondazheve, ndonëse për dy vite pagoi faturën e “këshilltarit mizerabël”, si pasojë e keqkuptimit dhe keqinterpretimit të deklaratës së dikurshme të Berishës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *