Templates by BIGtheme NET

Hapja e listave, tre mësime nga procesi

Blog Autor: Endrit Yzeiraj

Pranimi publik nga të dy liderët kryesorë politikë të vendit i hapjes së listave zgjedhore është fitorja më e rëndësishme politike e shoqërisë shqiptare që pas rrëzimit të sistemit komunist!

Ky është gjithashtu hapi i parë i vogël, por ende jo i mjaftueshëm, për zhbërjen e grushtit të shtetit të vitit 2008.

Duhet ende shumë punë, por sot kemi të paktën tre mësime kryesore nga ky proces.

Së pari, organizimi dhe presioni funksionojnë. Megjithëse ishte e qartë që asnjë nga palët kryesore politike nuk e donte këtë hap, në momentin që ideja ishte publike dhe konkrete, e mbështetur nga një front i gjerë, nevoja për mbijetesë politike i detyroi të dy krahët të ulnin kokën e të pranonin atë që nuk donin kurrë ta pranonin.

Së dyti, rëndësi kanë idetë dhe jo njerëzit. Sot shoqëria shqiptare i ka një borxh të madh publik aktorëve kryesorë të këtij procesi: Nismës Thurje dhe një pjesë të opozitës parlamentare. Pavarësisht gjykimeve personale, pavarësisht dyshimeve që mund të kemi ndaj tyre si individ, pavarësisht qëllimeve të tyre, sot shoqëria shqiptare ka bërë një hap përpara falë punës dhe përpjekjes së tyre.

Së treti, pengesat në të ardhmen do vazhdojnë por sot kemi një model suksesi. Lehtësimi i referendumeve kombëtare dhe lokale, balancimi i pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, decentralizimi dhe fuqizimi i pushtetit lokal, krijimi i një sistemi kombëtar proporcional, janë të gjitha hapa që duhen për të demokratizuar jetën politike. Ata që ju kundërvunë deri në fund hapjes së listave, nuk do hapin krah më lehtë për kërkesat e tjera. Por në fund, nuk ka asgjë që mund të ndalojë një ide, koha e së cilës ka ardhur. E në Shqipëri, sot ka filluar vërtet koha e ideve demokratike!

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*