Vendosni fjalën kyçe....

Do ua çonin në shtëpi, pensionistët sot përpara postës pa maska dhe afër njëri-tjetrit (FOTO)


Dhjetëra pensionistë prisnin në radhë paraditen e sotme përpara Postës Shqiptare Nr.22 në Tiranë, e cila ndodhet në afërsi të zonës së Oxhakut.

Edhe pse numri i të prekurve dhe viktimave këto ditë ka qenë mjaft i lartë në vendin tonë, të moshuarit nuk kanë treguar kujdes me vënien e maskave dhe ruajtjen e distancimit social.

“Kemi ardhur për pensionin, ça të bëjmë, nuk po ruhet distanca, nuk kam qenë këtu nëna, nuk kam qenë, nuk e di”, shprehet një e moshuar për televizionin Fax News.

Një tjetër i moshuar tregon se e ka maskën në xhep dhe nuk pranon të flasë më tepër. Duket se nevoja e parave dhe marrja e pensioneve sa më shpejt ka bërë që qytetarët të harrojnë rrezikun që ju kanoset.

Shpërndarja e pensioneve sipas qeverisë do të bëhej nëpër shtëpitë e gjithsecilit. Pas problemeve të ditës së sotme, Posta Shqiptare ka dalë me një njoftim ku u bën thirrje të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke ruajtur distancimin fizik dhe duke mbajtur masat mbrojtëse.

Po ashtu u bën me dije opsionin e “Shpërndarja e pensionit në adresë”.

NJOFTIMI I POSTËS SHQIPTARE

Nisur nga situata e krijuar nga përhapja e Covid-19 në vend, Posta Shqiptare përsërit thirrjen drejtuar të gjithë pensionistëve dhe qytetarëve që marrin shërbime postare-financiare në zyra postare, të respektojnë protokollin e masave sipas udhëzimit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke ruajtur distancimin fizik dhe duke mbajtur masat mbrojtëse.
Ndonëse nga ana e punonjësve të zyrave të Postës Shqiptare bëhen të gjitha përpjekjet për ruajtjen e distancave dhe sigurisë gjatë ofrimit të shërbimit, është shumë i rëndësishëm edhe bashkëpunimi nga ana e qytetarëve.
Posta Shqiptare, në kuadër të parandalimit të rradhëve të gjata apo ndonjë mundësie infektimi në këtë situatë të pazakontë, njofton se prej disa vitesh, ofron për të gjithë pensionistët shërbimin “Shpërndarja e pensionit në adresë”.
“Shpërndarja e pensionit në adresë” është alternativa e duhur për të mbrojtur pensionistët në këtë situatë të pazakontë pandemie dhe rradhëve të gjata në temperaturat e larta të gushtit. Shpërndarja e pensioneve në banesë për mbi 500 mijë pensionistë në të gjithë vendin, gjatë periudhës së karantinës, provoi se Posta Shqiptare i ka të gjitha kapacitetet shpërndarëse për të ofruar këtë shërbim me shpejtësi dhe siguri.
Pensionisti ose një anëtar i familjes së tij mund të paraqitet në zyrë postare, të plotësojë një formular aplikimi për përfitimin e këtij shërbimi dhe pensioni do të shpërndahet sipas grafikut të përcaktuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Posta Shqiptare dhe punonjësit e shërbimit janë në dispozicion të qytetarëve për të asistuar në përfitimin e këtij shërbimi.
Gjithashtu, Posta Shqiptare, vazhdon fushatën e ndërgjegjësimit dhe komunikimit me qytetarët në terren.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *