Vendosni fjalën kyçe....

Ish-mbreti i Spanjës i shkroi një letër djalit para largimit nga vendi


Ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos ka vendosur të largohet nga vendi, disa javë pasi emri i tij u lidh me një hetim të dyshuar për korrupsion. Lajmi u konfirmua nga pallati mbretëror, shkruan BBC.

82-vjeçari, e bëri njoftimin në një letër për djalin e tij, Felipe, të cilit i dha pushtetin gjashtë vjet më parë.
Juan Carlos thotë se do të ishte në dispozicion nëse prokurorët do të kishin nevojë ta intervistonin.

Në muajin qershor, Gjykata Supreme e Spanjës hapi një hetim mbi dyshimin e përfshirjes së ish-mbretit Juan Carlos në një kontratë hekurudhore me shpejtësi të lartë në Arabinë Saudite. Nuk ishte e qartë menjëherë se ku do të banonte ish-monarku, por raportet e shtypit spanjoll thonë se ai nuk është më në vend.

“Është një dalje poshtëruese kjo për një mbret që dukej se do mbahej në histori si udhëheqësi që drejtoi me aftësi Spanjën nga diktatura në demokraci, pas vdekjes së gjeneralit Franco në 1975”- thotë korrespondenti i BBC Europe, Nick Beake.

 

Juan Carlos u largua nga froni në vitin 2014 pas gati 40 vjet si mbret, pas një hetimi korrupsioni ndaj vajzës së tij dhe bashkëshortit të saj, si dhe pas një udhëtimi të diskutueshëm për gjueti elefanti që monarku kishte bërë gjatë krizës financiare të Spanjës.

Çfarë thoshte letra?

Në letër, ish-monarku shkruan se ai po e merrte vendimin për t’u larguar “përballë pasojave në publik që po gjenerojnë disa ngjarje të kaluara në jetën time private” dhe me shpresën që të lejojë që djali i tij të kryejë funksionet e tij si mbret me “qetësi “.

“I udhëhequr nga bindja për t’i shërbyer më së miri popullit të Spanjës, institucioneve të tij dhe ju si mbret, ju informoj për vendimin tim në këtë kohë për të lënë Spanjën. Një vendim që e marr me emocion të thellë, por me qetësi të madhe”– thuhet në letër.

Deklarata nga pallati Zarzuela thoshte se Mbreti Felipe VI i kishte përcjellë “respektin dhe mirënjohjen e tij të përzemërt” babait të tij për këtë vendim.

Në muajin mars, mbreti Felipe VI hoqi dorë nga trashëgimia e babait të tij. Pallati mbretëror gjithashtu tha në atë kohë që Juan Carlos nuk do të merrte më grantin vjetor prej 194,000 eurosh.

Mbreti Juan Carlos:
– Lindi në Romë, Itali, në vitin 1938
-U ngjit në fron më 22 nëntor 1975, dy ditë pas vdekjes së diktatorit fashist Gen Francisco Franco
+Juan Carlos u admirua gjerësisht për drejtimin e Spanjës drejt demokracisë gjatë një periudhe të vështirë
-Por në fund të mbretërimit të tij 39-vjeçar ai mori mjaft kritika
-Largohet nga froni më 18 qershor 2014, duke ia lënë djalit të tij Felipe


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *