Templates by BIGtheme NET

Veliaj njofton shërimin nga Covid-19: I brengosur për ata që s’ia dolën, më sëmbon zemrën kjo padrejtësi

Kryebashkiaku Veliaj ka njoftuar se është shëruar nga Covid-19.

Nëpërmjet një njoftimi në rrjetet scociale, ai shkruan se ndihet më i fortë se kurrë për t’iu rikthyer punëve në kryeqytet.

Ai falënderon një sërë njerëzish që sipas tij e kanë ndihmuar të shërohet nga koronavirusi i ri.

Ai shpreh keqardhjen për personat që nuk kanë mundur të shërohen e kanë humbur jetën nga pandemia.

“Pas dy javesh izolim e trajtim mjekësor – në Tiranë, e askund tjetër – testi i fundit me nxorri të shëruar nga Covid-19 e më të fortë se kurrë për t’iu rikthyer punëve të shumta të Kryeqytetit tonë.

E kam zemrën plot mirënjohje për familjen time të vogël – Ajola, Kajan dhe nënat e papërtuara – e për familjen e madhe të mijëra prej jush, që më dhatë përditë kurajo e frymëzim për ta mundur këtë flamë.

Do të kish qenë edhe më e vështirë pa këmbënguljen e Ogertës, Albanës, Eugenës e Almes nga ISHP të cilat më këshilluan ta merrja seriozisht që në fillim, pa përkushtimin 24h të Doktor Perlatit apo injeksionet pupël të infermiere Adelinës, si dhe insistimit ditor të shokut Gramoz për t’iu bindur profesionistëve heronj e jo gjithologëve mendjelehtë!

Gjatë këtyre dy javëve u miqësova me plot pacientë apo të shëruar të tjerë, njoha historitë e tyre e ndamë momente të kësaj lufte të përbashkët të njerëzimit. Ky komunitet, ku tani edhe unë duhet të bëj pjesën time, do duhet të jetë më aktiv për të ndërgjegjësuar të tjerët mbi seriozitetin e kësaj drame e nevojën për të bashkëpunuar me autoritetet çdo ditë!

Jam i brengosur për ata që s’ja dolën, më sëmbon zemrën kjo padrejtësi ku disa jetë këputen kaq beftas në mes! Vazhdoj lutem për familjet që lanë pas, e siç ua kam dëshmuar një pjese prej tyre, do angazhohem me gjithçka mundem për të lehtësuar sadopak dhimbjen e nevojat e tyre, sidomos të fëmijëve!

Ndaj miq, le të duhemi më shumë, e urrehemi më pak. Të ndihmojmë më shumë, e të shajmë më pak. Të bashkohemi më shumë, e të përçahemi më pak! Nëse i bëjmë këto e bashkëpunojmë me bluzat e bardha, do ngrihemi më të pjekur e më të fortë si komb! Unë besoj!

Mirënjohje e dashuri pafund për secilin prej jush!” – shkruan Veliaj në Facebook.

Komento

Adresa e email nuk do te publikohet. Fushat jane te domosdoshme *

*